Policia e rajonit të Prishtinës konfirmoi për Kosova Press për një rrahje që ka ndodhur sot rreth mesditës e ku mediat kanë raportuar se është i përfshirë vëllai i presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, Gani Thaçi.
“Sot rreth orës 12:00, policia ka marrë informacionin se në rrugën ‘Lidhja e Pejës’ në Prishtinë, ka ndodhur një përleshje fizike mes tre personave. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore të cilat konform rekomandimeve të prokurorit të shtetit i cili po ashtu ka dalë në vendin e ngjarjes, po ndërmarrin veprimet e mëtutjeshme hetimore e procedurale”, ka thënë zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti.
Mediat kanë raportuar se vëllai i presidentit Gani Thaçi ka rrahur fizikisht dy persona brenda zyrës së Byrosë së Sigurime, drejtorin e BKS-së Blerim Pushkollin dhe drejtorin e kompanisë së sigurimeve “Illyria Insurance”, sllovenin Gianni Sokoliq.