Marineli: NATO s'largohet nga Kosova, Ushtria çështje politike

Saturday, 27 October 2018 13:12

Kreu i zyrës ndërlidhëse të NATO-s në Serbi, Cesar Marineli, ka thënë se trupat e NATO-së nuk do të tërhiqen nga Kosova, as nuk do të zvogëlojë numrin e ushtarëve.

Ai gjithashtu ka folur për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës, ka potencuar se një gjë e tillë është një ‘çështje shumë e vështirë politike’, raporton Gazeta Express.

“Kur vjen fjala për Forcën e Sigurisë së Kosovës, ne i pranojmë ata në mandatin aktual. Nëse ka ndryshime, ato duhet të diskutohen në nivelin e Këshillin e Atlantikut të Veriut”, ka thënë Marineli, teksa është pyetur për lëvizjet e fundit që janë bërë nga Kuvendi i Kosovës për formimin e Ushtrisë së Kosovës.

Marineli këto deklarata i ka bërë në një intervistë për ‘Voice of America’, derisa ka treguar edhe për diskutimet ndërmjet tij, Aleksander Vuçiqit dhe Sekretarin Gjeneral të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Ai ka thënë se kanë biseda të vazhdueshme me Vuçiqin, dhe thekson se kanë qëndrime të ndryshme për disa tema të caktuara.

Marineli gjithashtu ka folur edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se NATO  e mbështet vazhdimin e dialogut ndërmjet dy shteteve dhe gjithashtu edhe përpjekjet për reduktim të tensioneve dhe zgjidhje të keqkuptimeve

Login to post comments