Në disa vende të BE-së akoma ka skepticizëm për heqjen e vizave për shtetasit e Kosovës. Por në Prishtinë ende shpresojnë se vendimi do të jetë pozitiv.
Në Prishtinë ende ka shpresë se Këshilli i Ministrave të BE-së para Vitit të Ri do të marrë vendimin për heqjen e vizave për shtetasit e Kosovës. Por qysh tash ka filluar të vërehet një dozë nervozizmi, tek udhëheqësit politikë kosovarë në pritje të këtij vendimi. Skepticizmi në Prishtinë për një vendim pozitiv këtë vit u rrit gjatë vizitës në Kosovë të kancelarit austriak Sebastian Kurz, i cili nuk ishte në gjendje të thotë që vendimi pozitiv do të merret para Vitit të Ri. Ai tha se "ende ka shtete të BE-së të cilat janë skeptike sa i përket liberalizimit të vizave”.
"Ka pasur vendim pozitiv nga Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian. Tani pritet vendimi te Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian. Ende ka shtete të BE-së që janë shumë skeptike sa i përket liberalizimit të vizave”, pati deklaruar Sebastian Kurz.
Vizat ose dialogu ndërpritet
Zëvendëskryeministri i qeverisë së Kosovës Enver Hoxhaj, thotë se vendimi për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës duhet të merret sivjet. Në të kundërtën, "pse atëherë Kosova duhet të besojë në BE edhe për dialogun Kosovë-Serbi”.
"Nëse Bashkimi Evropian nuk është në gjendje që t'i përmbushë premtimet e veta në raport me liberalizimin e vizave (dhe ne i kemi përmbushur të gjitha kriteret, nga kriteri i parë deri në kriterin e 95-të dhe tash i mbetet BE-së që të marrë vendimin sa i takon mundësisë së lëvizjes së lirë në vitin 2019), atëherë pse do të duhej t'i besojmë BE-së që do të ketë instrumente që ta bindë Serbinë ta njohë Kosovën”, thotë Enver Hoxhaj, citojnë mediet në Prishtinë, duke paralajmëruar mundësinë e kushtëzimit të dialogut me Serbinë.
Edhe raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Sholtes, ka pranuar se "tek disa shtete anëtare të BE-së ka një skepticizëm sa i përket vendimit për heqjen e vizave për Kosovën”. Mirëpo ai ende shpreson se "liberalizimi i vizave do të ndodhë më së largu deri në fund të mandatit aktual të Parlamentit Evropian”, e që është maji i vitit 2019. Sholtes ka thënë se udhëheqësit politikë kosovarë duhet të takojnë një nga një ministrat e shteteve që hezitojnë, të votojnë në favor të vendimit për heqjen e vizave.
Kritika të politikës kosovare ndaj BE
Turin e tij nëpër vendet e BE-së për të lobuar për heqjen e vizave për Kosovën po e vazhdon, kryetari i kuvendit Kadri Veseli. Ai këtë të martë udhëton për në Finlandë dhe më pas në Belgjikë me qëllim që ”ta largojë skepticizmin që e kanë disa vende për liberalizimin e vizave”.
"Është e drejtë e qytetarëve të Kosovës të lëvizin lirshëm, dhe pas plotësimit të kritereve bashkësia evropiane duhet të reflektojë. E drejta na takon që në dhjetor duhet të merret vendimmarrja e Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave, ndryshe, është racizëm, ky është qëndrimi im politik”.
Sipas Kadri Veselit "deri tani na është thënë se liberalizimi i vizave është çështje teknike, tani kanë filluar zëra të thonë se na qenka edhe politike. Do të jetë goditje e vetë vlerave të Bashkimit Evropian nëse është kështu”. E nisur nga kjo logjikë sipas Kadri Veselit "i bie që Kosova që 10 vjet po mbahet politikisht e izoluar”.
Edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nga ana e tij thotë se "Kosova e meriton liberalizimin e vizave, sepse ka përmbushur të gjitha obligimet e saj”. "Me liberalizimin e vizave për Kosovën, vendet evropiane fitojnë një partner më shumë, fitojnë një konsumator më shumë në ekonominë e tyre”, thotë Kryeministri Haradinaj.
Ka pasur vërtet premtim të hapur për liberalizimin?
Për njohësit e çështjeve evropiane, deklaratat e politikës kosovare që duan fajin ta hedhin tek autoritetet e BE-së, nuk janë shumë të sinqerta. Avni Mazreku, njohës i integrimeve evropiane, thotë se ”ajo çka Brukseli zyrtar ka deklaruar vazhdimisht ka qenë që pas ratifikimit të marrëveshjes së demarkimit të Kufirit me Malin Zi, procesi i liberalizimit të vizave do të zhbllokohet dhe në asnjë moment nuk është deklaruar që, Kosovës pas ratifikimit të kësaj marrëveshje automatikisht do t'i hiqet regjimi i vizave”.
Avni Mazreku, duke komentuar një deklaratë të ministres për Integrimet Evropiane, Dhurata Hoxha, e cila i referohet premtimit të BE-së se "Kosovës do t'i hiqen vizat pas ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi”, thotë se "nëse, ministres në fjalë i është premtuar një gjë e tillë ajo duhet ta bëjë transparent atë premtim dhe se në çfarë niveli institucional i është bërë një premtim i tillë, sepse dihet që asnjë zyrtar i BE-së nuk është në gjendje të bëjë një premtim të tillë. për vetë faktin se vendimi për heqjen e regjimit të vizave varet nga qëndrimi i shteteve anëtare të BE-së e jo nga zyrtarë të caktuar të BE-së.