Kryeparalamentari Kadri Veseli ka bërë të ditur se gjatë vizitës zyrtare në Finlandë ka takuar diplomatin Marti Ahtisaari.
“Pata kënaqësinë ta takoj presidentin Marti Ahtisaari. Evokuam kujtime nga puna e tij që çoi në shpalljen e Kosovës shtet i pavarur dhe sovran, një ëndërr edhe përpjekje e gjatë e popullit tonë. Ne jemi krenarë që Kosova është bërë shembull i demokracisë për shumë vende. Me presidentin Ahtisaari shkëmbyem shumë mendime për të ardhmen e Kosovës dhe këshillat e tij janë gjithmonë të mirëseardhura”, ka shkruar Veseli.
Kreu i legjislativit ka thënë se Kosova në këtë fazë është e përkushtuar që të vazhdojë dialogun me Serbinë, për të përmbyllur përgjithmonë çështjet e hapura mes dy vendeve dhe për te ecur si dy vende sovrane në rrugën e integrimeve evropiane.
“Kushtetua e Kosovës, që buron nga propozimi i presidentit Ahtisaari, është garantuese e fortë e lirisë se qytetarëve tanë, pa dallim, dhe mbrojtja e kësaj kushtetute do të jetë angazhimi ynë i përhershëm, në çdo fazë”, ka përfunduar Veseli.