Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha sot pas mbledhjes së Kryesisë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave dhe se nuk ka arsye të ketë vendimmarrje tjetër, përveç liberalizimit të vizave. Veseli ka njoftuar edhe se gjatë kësaj jave do të mbahen dy seanca plenare.
Kryeparlamentari Veseli pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit tha se Kosova e meriton liberalizimin e vizave dhe beson në Bashkimin Evropian.
"Edhe këtë javë do të jetë e mbushur me disa projektligje që kanë të bëjnë me agjenda evropiane. Çështja e liberalizimit të vizave është çështje teknike, Kosova nuk e turpëron BE-në. Kemi seancë plenare të enjten, vazhdim i seancës së thirrur nga LDK dhe Vetëvendosje, po ashtu edhe të premten seancë tjetër. Deri tani janë miratuar 65 projektligje, komisionet parlamentare janë duke punuar”, tha Veseli.
Kreu i Kuvendit është optimist edhe se nesër do të votohet për anëtarësimin e Kosovës në Interpol. "Institucionet tona kanë bërë punë të madhe, jemi optimist, por nuk duam të flasim derisa të kryhet puna. Serbia është duke e penguar një gjë e tillë", tha Veseli.
Sa i përket transformimit të FSK-së në ushtri ai u shpreh i bindur që një gjë e tillë do të ndodhë, ndërsa tha se koalicioni qeveritar do të vazhdojë edhe më tutje.