“Humbës është edhe Kosova e edhe Serbia, fitues është vetëm krimi i organizuar”, ka thënë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Ai ka folur të martën pas dështimit të Kosovës që të antarësohet në INTERPOL. Thaçi ka thënë se Kosova ka dashur të jetë pjesë e luftimit të krimit dhe kjo e drejtë i është mohuar.
Ai është shprehur se edhe pse votimi ishte i fshehtë ku nuk dihet kush si ka votuar, megjithatë mundësia që shtete që e kanë njohur Kosovën të kenë votuar kundër antarësimit të Kosovës është lajm i keq. “Por nuk është votuar për Pavarësinë e Kosovës dhe edhe shtete që nuk e njohin Pavarësinë e Kosovës kanë votuar pro”, ka thënë Thaçi.
Ai ka parë Marrëveshjen e mundshme me Serbinë në kuadër të dialogut që po zhvillohet në Bruksel si mundësi që do të zgjidhte problemet mes dy vendeve edhe çështjen e antarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
“Ne duhet të jemi në një linjë të plotë me SHBA-në e BE-në për ta përmbyllur marrëveshjen me Serbinë njëherë e përgjithmonë”, ka thënë ai.