Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj bëri publik sot vendimin e qeverisë, që të vendoset taksë prej 100 për qind për produktet me origjinë serbe.
“Nga sot masë 100% ndaj Serbisë. Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme, ka marrë vendim që të vendoset masa prej 100% ndaj produkteve të importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, përjashtuar brendet ndërkombëtare të listuara në aneks.
Poashtu, qeveria e vendit obligon Ministrinë e Tregtisë dhe të Industrisë dhe të gjitha institucionet relevante, që të largojnë dhe të ndalojnë importin dhe hyrjen potenciale në treg të të gjitha produkteve, të cilat nuk i referohen dhe janë në kundërshtim me emërtimin zyrtar dhe kushtetues të Republikës së Kosovës.”, u shpreh Haradinaj.
Në lidhje me këtë vendim ka reaguar menjëherë Bashkimi Europian i cili i kërkon qeverisë së Kosovë të tërheqë mbrapsht këtë vendim.
“Vendimi i sotëm i qeverisë së Kosovës për të rritur taksën ndaj mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnja për 100 për qind është shkelje e pastër e CEFTA-s dhe frymës së Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës. Ajo përkeqëson situatën pas vendimit të parë prej 10 për qind javën e kaluar. Qeveria e Kosovës duhet menjëherë të anulojë këto vendime”, ka deklaruar përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.
Alarmohet Aleksandër Vuçiç
Pas vendimit të Haradinaj ka reaguar edhe Vuçiç. Ai ka thirrur në një takim të jashtëzakonshëm ambasadorët e Kinës, Rusisë, BE-së. Presidenti serb ka thirrur edhe një mbledhje të Këshillit për Siguri Kombëtare të Serbisë pas këtyre masave të qeverisë së Republikës së Kosovës.