Kryeministri Ramush Haradinaj ka reaguar lidhur me aksionin e sotëm në veri të Mitrovicës, ku pati arrestime në lidhje me vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviç.
Kreu i ekzekutivit ka thënë se ky veprim i policisë nuk lidhet me asnjë zhvillim politik.
“Sot, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, në veri të Kosovës është zhvilluar një operacion policor, që ndërlidhet me ndalimin e disa të dyshuarve për vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq. Ky veprim policor ishte në pajtim të plotë me ligjin, konform urdhërit të Prokurorisë Speciale, dhe nuk ndërlidhet në asnjë mënyrë me asnjë zhvillim politik. Dua të siguroj të gjithë qytetarët se shteti i Kosovës dhe organet e tij të rendit, në asnjë mënyrë dhe asnjëherë nuk do të orientohet kundër asnjë grupi etnik apo politik”, ka shkruar Haradinaj.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve,s ubjektve politike, kryetarëve të komunave posaçërisht atyre në veri dhe organeve të tjera, që të kontribuojnë në mbajtjen dhe avancimin e qetësisë publike, në shërbim të paqes dhe stabilitetit.
“Është më rëndësi që askush të mos bien pre e dezinformatave të ndryshme. Ruajtja e rendit dhe respektimi i ligjit është në interes të të gjithëve në Kosovë”, ka përfunduar ai.