Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim ambasadorët e QUINT-it dhe përfaqësuesin e Zyrës së BE-së në Kosovë, me të cilët bisedoi për zhvillimet e fundit politike në vend. Pas takimit Haradinaj ka theksuar se vendimi për taksën e produketeve serbe nuk do të hiqet dhe se produktet ushqimore janë të garantuara.
Haradinaj ka theksuar se vendimi për taksën ka ardhë pas pengesave të vazhdueshme që Serbia po i bënë Kosovës, transmeton Gazeta Express.
"Po ashtu, kryeministri Haradinaj, i ka siguruar ambasadorët e Quintit se situata politike dhe e sigurisë në Kosovë është e qetë dhe qeveria e Kosovës është e përkushtuar të ruaj rendin dhe qetësinë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, duke demantuar dezinformatat për ashtuquajtur krizë humanitare në Veri të Vendit", thuhet në njoftimin dërguar mediave.
Haradinaj i ka siguruar ambasadorët qytetarëve të vendit, pa dallim vendi apo përkatësie etnike nuk do ju mungojë asnjë produkt bazik ushqimor dhe mjekësor dhe se deklaratat e politikanëve serb janë veçse një veprim tjetër propagandues, i pavërtetë dhe i papranueshëm për realitetin në vend.
Haradinaj tha se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që të sigurojë paqe dhe stabilitet për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe fton të gjithë qytetarët e saj dhe përfaqësuesit institucional, subjektet politike, kryetarët e komunave posaçërisht ata në veri dhe organet e tjera, që të kontribuojnë në mbajtjen dhe avancimin e qetësisë publike, në shërbim të paqes dhe stabilitetit.
Më tej ai ka falënderuar ambasadorët e Quintit për përkrahjen e vazhdueshme dhe të gjithanshme për Kosovën në të gjitha proceset dhe i ka ftuar ata që të jenë objektiv sa i përket vlerësimit të situatës në vend, duke ritheksuar edhe njëherë se vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës do të mbetet në fuqi, deri në realizimin e objektivave të Qeverisë së Republikës së Kosovës.