I pari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka thënë për KosovaPress se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka obligim kushtetues për të krijuar delegacion dhe për të kërkuar nga Parlamenti për ta votuar, po këtë e kanë kërkuar për faktin që jenë të përfshirë të gjithë.Ai ka shtuar se janë duke biseduar fuqishëm dhe po insistojnë që të jenë së bashku me opozitën, por nëse nuk arrihet ky qellim, atëherë do të japin një përgjigje, duke mos treguar se cila do të jetë kjo përgjigje.
Limaj i cili është emëruar nga Qeveria për të udhëhequr delegacionin e Kosovës për bisedime me Serbinë, ka thënë se dialogu shtatëvjeçar ka qenë plotësisht i dështuar. Zëvendëskryeministri Limaj ka folur edhe për padinë që Kosova duhet të ngrisë ndaj shtetit të Serbisë, për krimet që ka kryer në Kosovë, i cili ka thënë se ndaj Kosovës janë bërë shumë padrejtësi me këtë temë.
Duke folur për këtë temë, e cila nuk është trajtuar nga drejtësia në Kosovë, ai ka treguar se janë 30 kryetarë komunash, 30 komandantë të stacioneve të policisë serbe, të cilët drejtpërdrejt kanë marrë pjesë në pastrimin etnik të qytetarëve të Kosovës në 99-tën, dhe ende nuk ka asnjë procedim ndaj tyre.
Në lidhje me rishikimin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, Limaj ka theksuar se komisionet shtetërore kanë kohë dy vite që ta bëjnë këtë dhe ka pohuar se tani janë të rëndësishme duart e profesionistëve të komisioneve përkatëse, për të shikuar pikat kontestuese.