Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë të arrijnë sa më shpejt një marrëveshje përfundimtare. Përmes një postimi në Twitter, këshilltari i presidentit Trump për sigurinë kombëtare Xhon Bolton tha se ia kishte përcjellë thirrjen presidentit kosovar Hashim Thaçi, gjatë takimit në Uashington.
John Bolton në Twitter: U takova në Shtëpinë e Bardhë me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi. Ramë dakord që tani është koha që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë të dyja palët për të arritur këtë qëllim historik.
Të njëjtin qëndrim shprehu edhe sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo gjatë takimit të së hënës me Thaçin. Pompeo tha paqja e qëndrueshme dhe integrimi në komunitetin e vendeve perëndimore arrihet vetëm përmes normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Presidenti kosovar ka hedhur idenë e korrigjimit të kufijve mes dy vendeve, mënyrë përmes të cilës Thaçi beson se Serbia do të njohë kufijtë e Kosovës. Por çështja nuk është shtruar ende zyrtarisht për diskutime. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë mori një goditje të fortë nga rritja e tatimit për mallrat serbe me 100% të vlerës.