Kosova nesër në ditë zie në nder të ish-Presidentit

Tuesday, 04 December 2018 15:16

Shteti kosovar do të jetë nesër në ditë zie për nder të varrimit të ish-presidentit amerikan George Ë. H. Bush, që vdiq javën që shkoi.

Lajmin për shpalljen e ditës së zisë e bëri të ditur Presidenca e Kosovës, të cilët thanë se kjo bëhet për hir të respektit dhe vlerësimit të kontributit të ish-presidentit Bush për Kosovën.

Për këtë rast, presidenti Hashim Thaçi është nisur për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe pritet të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të ish-presidentit Bush.

Ndërkohë, dje ambasadori i ri amerikan në Kosovë, Philip Kosnnet, gjatë dorëzimit të letrave kredenciale ka vlerësuar lartë marrëdhënien e shtetit Amerikan dhe popullit të Kosovës, e cila marrëdhënie u bë shkas edhe për zinë e nesërme.

“Unë kam shërbyer 15 vite më parë në Kosovë, dhe më vjen mirë që më është dhënë rasti të shërbejë sërish në Kosovë. Amerika është këtu për ta përkrahur gjithmonë Kosovën. Mendoj se marrëdhëniet e Kosovës dhe SHBA janë marrëdhënie të cilat nuk mund të krahasohen me asnjë marrëdhënie tjetër në botë”, ka thënë dje Kosnett.

Ndryshe, herën e fundit kur Kosova mbajti ditë zie, ishte vdekja e veprimtarit Adem Demaçi, me ç’rast flamujt e shtetit të Kosovës u vendosen në gjysëm shtizë për tri ditë.

Login to post comments