Qeveria italiane ka lëshuar një fond prej 165 mijë euro përfshirë në buxhetin e vitit 2018, në mbrojten dhe vlerësimin e minorancave etnike .gjuhësore të pranishme në rajonin e Kalabrisë.
Lajmi është bërë i ditur nga Presidenti i këtij rajoni Mario Oliverio, i cili komenton se "me këtë fond rajoni synon të investojë në mbrojtje dhe vlerësimin e gjuhës shqipe në shkolla e komunave arbëreshe, si një trashëgimi e identiteti të komunitetit arbëreshë."
Fondi prej 165 mijë euro është dekretuar nga Presidenti i Republikës Serxhio Matarella, në referencë të ligjit 482/99 mbi ngritjen e Fondit Kombëar në mbrojtje të minoriteteve gjuhësore në Itali.
"Vëzhgimi i traditave, kulturave, zakoneve të pakicave etnike arbëreshe në rajonin e Kalabrisë,- është shprehur Presidenti i këtij rajoni Mario Oliverio - janë një pasuri e madhe për Kalabrinë."
"Ne si rajon,- tha ai - synojmë të promovojmë trashëgiminë kulturore të komunitetit arbëreshë duke aktivizuar dhe fondet europiane, si dhe me nisjen e një bashkëpunimi konstant me Shqipërinë e cila nga ana e saj duhet të përfshirë në ndihmë dhe impenjimin e Fondacioneve."
"Të gjithë së bashku -shprehet Presidenti i rajonit të Kalabrisë - duhet të punojmë për një objektiv të përbashkët duke i dhënë vlerë jo vetëm njohjes së hisotrisë së popullsisë arbëreshe, por dhe parimit të mikpritjes e bashkëjetesës shumëvjecare në vendin tonë sidomso në këtë moment historik që po kalon aktualisht Italia."
Këshilltarja rajonale për kulturën Maria Francesca Corigliano është shprehur se "pakicat etnike me një histori mijëvjecare të pranishme në Kalabri përfaqësojnë një pasuri të vërtetë për Kalabrinë e pjesë përbërëse e historisë së këtij rajoni."
"Gjuha - tha ajo,- ritet, trashëgimia letrare , historike, arkivore, kostumet popullore, arti fetar, zanatet artistike, vecoritë urbane e gastronomike, institucionet arsimore e kultura materiale e sociale, përfaqësojnë gjithcka që rajoni i Kalabrisë synon t'i vlerësoj në shërbim të zhvillimit të turizmit në territor, e duke aktivizuar një seri projektesh ë mbrojtje të minoriteteve gjuhësore."
"Gjithashtu, tha ajo, synojmë të promovojmë nisma shkollore e universitare për futjen e mësimit të gjuhës shqipe në kopshte, shkolla fillore e të mesme, si dhe njohjen e së drejtës për rivendosjen e emrave origjinalë."