Amerika doli më e zëshmja në mbështetje të ushtrisë së Republikës së Kosovës. Por si hisedarja më e madhe në gjithë aleancën veri-atlantike ajo i shtoi kësaj përkrahje edhe vërejtjen se kjo forcë do të jetë me mandat të kufizuar territorial.
Për ish-komandantin e FSK’së tani në pension, Kadri Kastrati, ky specifikim nuk ka kurrfarë efekti në veprimin brenda vendit.
‘Nuk do të thotë kufizime sa i përket zbarkimeve brenda Republikës së Kosovës”, tha ai për Klan Kosovën.
E Nuredin Ibishi një ish-bashkëluftëtar i Kastratit nga koha e UÇK’së thotë se ky term mund të ketë rrjedhur si pasojë e temës për shkëmbim territoresh.
Por që të dy këta njohës të fushës së sigurisë dhe operimit të ushtrive thonë se specifikimi me territorin ka bazë kushtetuese, meqë Kosova nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjesë të ndonjë shteti.
‘Ajo ka karakter defansiv, mbrojtës’, tha Ibishi.
E Kastrati kujton se tani ka procedura të reja për angazhimin e ushtrisë në misione në vende të tjera.
Edhe këshilltari i kryeministrit të shtetit, Erolld Belegu, konfirmoi se ushtria e pas 14 dhjetorit do të ruaj sigurinë e veriut dhe të gjithë territorit të përcaktuar me Kushtetutë, kjo derisa në vendet e tjera do të zbarkojë nëpërmjet bashkësisë ndërkombëtare.