Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, Kadri Veseli, ka deklaruar sot se faza finale e dialogut Kosovë-Serbi është e qartë: sovranitet politik, territorial dhe institucional, njohje reciproke me Serbinë, epoke e re për Ballkanin dhe e ardhme e sigurt e Kosovës si shtet në BE, NATO dhe OKB.
Veseli ka rikonfirmuar mbështetjen për delegacionin shtetëror të Kosovës në ditën kur po qëndrojnë në Bruksel, ndërsa ka theksuar se marrëveshja finale do të votohet në referendum nga qytetarët.
Kryetari i Kuvendit i ftoi dy partitë opozitare, LDK dhe VV që ti bashkohen dialogut për të ardhmen e vendit e t’i lënë anash interesat për pushtet.
Deklarata e plotë e Kadri Veselit:
“Delegacioni shtetëror i Kosovës, i cili sot përfaqëson Kosovën në takimin e Brukselit, ka mandat të plotë legal dhe legjitim nga Kuvendi i Kosovës.
Ky mandat është në përputhje të plotë me parimet e funksionimit demokratik të institucioneve. Kosova është e gatshme dhe e vendosur për dialog me Serbinë.
Vendimet që do të merren do të jenë në respekt të plotë të shtetit të pavarur e sovran të Kosovës dhe në koordinim më partnerët tanë perëndimorë, si dhe të gjithë mbështetësit e shtetit tonë.
Refuzimi i dialogut nuk është alternativë. As zgjidhje. Për më tepër do të ishte një favorizim i Serbisë në arenën ndërkombëtare.
E dimë nga e kaluara se sa herë që Serbia ka refuzuar dialogun, po aq herë ka dalë e humbur nga proceset.
Ne nuk guxojmë ta përsërisim këtë leksion të gabuar të Serbisë. Kosova hyn në dialog me qëllime të qarta: njohje e shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë dhe anëtarësimi ynë në OKB.
Ne nuk do të lejojmë asnjë rezultat që dobëson integritetin e shtetit të Kosovës.
Ne hyjmë në dialog për ta fuqizuar edhe më shumë shtetin e Kosovës dhe do t’ia arrijmë kësaj pa asnjë mëdyshje.
Si në kohën e çlirimit, pastaj atë të pavarësisë, edhe sot, përkrah nesh janë vendet perëndimore, demokracitë më të fuqishme të botës, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kjo është garanci e fuqishme për ecjen tonë përpara si shtet. Por është e qartë se vetëm kjo nuk mjafton.
Na duhet të jemi më të bashkuar brenda si Kosovë. Ashtu siç kemi qenë në të kaluarën e afërt. Nuk kemi kohë për të humbur, bashkimi për interes të shtetit duhet të ndodhë menjëherë. Është koha për të menduar për vendin, jo për interesat tjera apo për kalkulime përfitimesh nga gabimet e pritura të të tjerëve.
Ne nuk hyjmë në dialog për të gabuar. As për të humbur. Hyjmë vetëm për të fituar dhe do të fitojmë. Kush mendon ndryshe është duke gabuar shumë. Ky është qëndrimi dhe përkushtimi i Partisë Demokratike të Kosovës. PDK nuk gabon asnjëherë kur është në pyetje kombi, shtetit dhe partneriteti me SHBA-të dhe vendet perëndimor. Kjo është arsyeja pse PDK gjithmonë ka qenë në krye të proceseve historike të cilat e kanë avancuar Kosovën.
Puna të cilën e ka nisur sot Delegacioni shtetëror i Kosovës do të jetë transparente, në të gjitha fazat e saj. Ndërkaq vendimi final do të legjitimohet me vullnetin e lirë të sovranit. Për këtë ne do të kalojmë shumë shpejt në Kuvendin e Kosovës ligjin për referendumin. Do të jenë vetë qytetarët e Kosovës që do ta thonë fjalën e fundit për rezultatet e procesit. Zëri i popullit është zëri i Zotit”.