Një operacion i madh i policisë italiane në Novafeltria, ka goditur një grup që merrej me transportin dhe tregtimin e lëndëve narkotike.
Operacioni që përfundoi në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, bëri të mundur arrestimin e 9 tregtarëve të cilët furnizonin me kokainë, marihuanë dhe hashash në zonën Romagna.
Hetimet të cilat nisën në vitin 2017 u koordinuan nga prokurori i Riminit, ndërsa operacioni u koduar "Seville 2017", i frymëzuar nga opera e famshme komike e Rosinit.
Figura kryesore e grupit të shitjes me pakicë të kokainës, në të vërtetë ishte një berber, 60 vjeçari i quajtur "Figaro".
Ai përdorte dyqanin e tij si bazë tregtare për blerësit dhe furnizuesit. Kjo ishte mbase arsyeja pse shumë konsumatorë nuk ishin aty për të prerë flokët me modelin më të fundit të modës, por për të mbushur xhepat me drogës, më së shumti kokainë.
Qendra e trafikimit të drogës ishte Novafeltria, një vend me jo më shumë se 7 mijë banorë, ku thuajse të gjithë njohin njëri-tjetrin. Hetimet nisën pikërisht nga raportimet e banorëve. Falë vëzhgimeve në terren, janë filmuar 1500 raste të shitjes së drogës, shumica prej të cilave kokainë me cilësi të lartë, e shitur për 90 euro grami.
Një aktivitet i paligjshëm dhe shumë fitimprurës që gjeneroi një fitim total prej 500,000 eurosh. Për furnizimin e tregtarëve ishin 3 furnizues shqiptarë, dy prej të cilëve u arrestuan në Rimini dhe një në San Mauro Pascoli, të kërkuar për trafik droge. Gjatë hetimeve, u kryen një sërë kërkimesh që çuan në sekuestrimin e pasurive të shumta, duke përfshirë makina, orë roleks dhe pasuri të patundshme.