Surroi: Uzurpimi i pavarësisë

Tuesday, 19 February 2019 17:16

Për shumicën e madhe të qytetarëve shteti i Kosovës është shndërruar në një aforizëm për media sociale, aty ku shumica e popullatës së vendit e kalon kohën: “kurrë nuk është vonë me e lanë duhanin... dhe Kosovën”. Kështu ka thënë publicisti dhe shkrimtari, Veton Surroi, në intervistën e javës për “Kohën Ditore”.

Sipas tij, kjo do të thotë që vendi është shndërruar në emërtues për mungesë perspektive, teksa ka mundur të ndodhë krejt e kundërta - “që Kosova të mos e vendoste pavarësinë e vet në kandar pazari, të investonte në kapitalin njerëzor nëpërmjet arsimit, të krijonte ambientin për një ekonomi kompetitive, në të cilën ndërmarrësia dhe bujqësia do të krijonin zhvillimin e perspektivën”. Surroi, që ka qenë njëri prej nënshkruesve të Marrëveshjes së Rambouillet, i ka bërë një përshkrim rrugës deri në pavarësi dhe pas saj.

“Ky projekt i menduar mirë, një herë i realizuar me Pavarësinë e vendit, u uzurpua. Ashtu si u uzurpuan banesat, tokat, dyqanet, fabrikat, ashtu u uzurpua edhe ky projekt”, ka thënë Surroi. Sipas tij, një grup i dhunshëm i njerëzve, që identifikohen tashmë prej kohësh me Hashim Thaçin, e shndërruan projektin e pavarësisë në projekt të grabitjes, të kapjes së shtetit, të pasurimit të tyre klanor, grupor e individual.

Sa i përket dialogut, Surroi ka thënë se, shtetësia e Kosovës u vu në tavolinë ditën kur Hashim Thaçi pranoi që të negociojë me Serbinë si kryeministër i shtetit, pavarësia e të cilit është e diskutueshme.

Sipas Surroit, Kosova duhet të kthehet te platforma bazike, ajo me të cilën kërkon negociata të barazisë me Serbinë, pra negociata për fqinjësi të mirë, jo për vazhdimësi të pranisë së Serbisë në Kosovë.

Shteti i shndërruar në aforizëm

KD: Sot shënojmë 11 vjet nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës. Çfarë ka mundur të arrijë Kosova për 11 vjet shtet?

Surroi: Kosova sot është një shtet, i cili ka vënë në pikëpyetje shpalljen e pavarësisë, tërësinë e vet tokësore dhe rregullimin kushtetues. Për më tepër, është shndërruar në shtet ku shumica e popullatës (gati 80 për qind e nxënësve nën moshën 15-vjeçare) janë analfabetë funksionalë. Kjo shumicë e popullatës nuk ka perspektivë ekonomike për shkak se investimet e parasë publike kanë shkuar për asfalt, korrupsion të përmasave industriale, punësim në sektorin publik të njerëzve të afërt me partinë apo klanin regjional dhe në shpenzime të kësaj kategorie që e ka të kapur shtetin.

Për shumicën e madhe të qytetarëve ky shtet është shndërruar në një aforizëm për media sociale, aty ku shumica e popullatës së vendit e kalon kohën: “kurrë nuk është vonë me e lanë duhanin... dhe Kosovën”. Kjo do të thotë që vendi është shndërruar në emërtues për mungesë perspektive.

E ka mundur të ndodhë krejt e kundërta. Pra, që Kosova të mos e vendoste pavarësinë e vet në kandar pazari, të investonte në kapitalin njerëzor nëpërmjet arsimit, të krijonte ambientin për një ekonomi kompetitive, në të cilën ndërmarrësia dhe bujqësia do të krijonin zhvillimin e perspektivën. Në vend se të shkonin në asfalt, dy miliardë euro kanë mundur ta zgjidhnin prodhimin e energjisë elektrike, ndotjes së ambientit në Rrafshin e Kosovës dhe të hapnin vende të reja pune në sektorë strategjikë të ndërmarrësisë e bujqësisë.

KD: Gjatë viteve ka pasur shumë kritika ndaj vendimmarrjes dhe shtetndërtimit në Kosovë. Edhe ju vetë keni qenë mjaft kritik ndaj udhëheqësve të Kosovës. Cilat janë pikat kryesore të kritikës suaj? Çka saktësisht ka shkuar keq?

Surroi: Rruga deri në pavarësi ka qenë një projekt i menduar. E kemi filluar në vitin 1989 si Alternativë, në procesin e zhbërjes së ish-Jugosllavisë që pasoi rënien e Murit të Berlinit. Ajo Alternativë, që më vonë do të identifikohej në masë të madhe me figurën e dr. Rugovës kishte konceptuar një rrugë që nëpërmjet të një lëvizjeje popullore, paqësore e konsensuale të rreshtohej drejt Perëndimit dhe në bazë të evolucionit kushtetues-juridik që kishte pasur Kosova në RSFJ, me kulminacion atë të vitit 1974, të mbërrinte përmbylljen e vetme logjike, pavarësinë e vendit. Ky proces arriti të zhvillohej, në fund edhe me nevojën për luftë të armatosur, që shpiu drejt shpejtimit të përmbylljes, me angazhimin e bashkësisë ndërkombëtare për një protektorat.

Ky projekt i menduar mirë, një herë i realizuar me pavarësinë e vendit, u uzurpua. Ashtu si u uzurpuan banesat, tokat, dyqanet, fabrikat, ashtu u uzurpua edhe ky projekt. Një grup i dhunshëm i njerëzve, që identifikohen tashmë prej kohësh me Hashim Thaçin, e shndërruan projektin e pavarësisë në projekt të grabitjes, të kapjes së shtetit, të pasurimit të tyre klanor, grupor e individual.

Ata e shfrytëzuan pavarësinë e vendit prej Serbisë për ta pushtuar nga grupi i tyre.

Serbia është dashur të përdorë zhbërjen e autonomisë e Kushtetutës, përdorimin e forcave okupuese policore e ushtarake dhe angazhim të serbëve lokalë, si administratorë kolonialë për ta mbajtur Kosovën të okupuar.

Grupi i kapësve të shtetit përdorën zbrazëtinë juridike të krijuar në protektorat të UNMIK-ut për të vendosur, me dhunë e vjedhje votash, një rrjet të organizuar për kapje të shtetit. Sot, nuk ekziston asnjë institucion publik - gjykatë, polici, RTK, PTK e çfarëdo tjetër - ku nuk ka përfshirje në vendimmarrje nga grupi i dhunshëm i identifikuar me Hashim Thaçin.

Ky grup, që për kaq shumë vjet është marrë me kapjen e shtetit dhe shkatërrimit të çdo gjëje që është pjesë e hapësirës publike - duke bërë për vete të mirat e kësaj hapësire - e ka bërë këtë si koncept të menduar. Pra, ditën kur e trashëguan projektin e Pavarësisë, si një projekt të menduar nga viti 1989, filluan me projektin e tyre të menduar, si ta pushtojnë këtë shtet për nevoja të tyre.

KD: Tani jemi në atë që po quhet faza e fundit e dialogut me Serbinë, e cila pritet që shumë shpejt të prodhojë një marrëveshje “normalizimi”, por që në një mënyrë apo tjetër mund të jetë edhe rihapje e Pavarësisë së Kosovës. Mendoni se në tavolinën e bisedimeve të Brukselit është vënë edhe shtetësia e Kosovës?

Surroi: Shtetësia e Kosovës u vu në tavolinë ditën kur Hashim Thaçi pranoi që të negociojë me Serbinë si kryeministër i shtetit, pavarësia e të cilit është e diskutueshme. Ai pranoi të hyjë në negociata të lehtësuara nga BE-ja pasi që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në korrik të vitit 2010, dha mendimin se shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Hashim Thaçi dhe Serbia u ulën për të biseduar për Kosovën, duke u pajtuar paraprakisht se Serbia ka të drejtë t’i kontestojë Pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës.

Rrjedhimisht, Hashim Thaçi ia njohu të drejtën Serbisë që bashkërisht të ndërhyjnë në sistemin kushtetues-juridik të vendit, duke u pajtuar që Kosova të themelojë autonominë territoriale politike serbe (Bashkësinë e komunave serbe) dhe të vendosë instrumente segregacioni etnik në polici e gjyqësi në pjesën veriore të vendit, mbi lumin Ibër.

Kosova të kthehet te platforma bazike

KD: Dialogu me Serbinë nuk ka dhënë rezultatet e premtuara. Nuk është arritur pajtimi me Serbinë, integrimi i serbëve nuk ka ndodhur plotësisht si dhe nuk është zbardhur fati i të pagjeturve. Çfarë transformimi duhet bërë dhe cili do të duhej të jetë interesi i Kosovës nga ky dialog?

Surroi: Historia e shkurtër e “dialogut” me Serbinë është kjo. Pas vitit 1945, kur Serbia (dhe udhëheqja jugosllave) mohuan të drejtën e Kosovës të bashkimit me Shqipërinë, ashtu siç kishte proklamuar Rezoluta e Bujanit, nënshkruar nga forca fitimtare e Luftës së Dytë Botërore, Kosova u aneksua nga Serbia dhe filloi një proces evolutiv largimi nga Serbia në pikën më të ulët të mundshme, okupimi. Që nga viti 1945 deri në vitin 2007, forca të ndryshme politike të Kosovës, në shumicë dërrmuese, shqiptarë, zhvilluan një proces të largimit të pushtetit të Serbisë nga Kosova. Në kuadër të Jugosllavisë socialiste, prijësit shqiptarë arritën formën më të lartë të mëvetësisë me Kushtetutën e vitit 1974, ndërsa gjenerata e Alternativës (pjesë e së cilës isha) e çoi në çlirim dhe Republikë të Kosovës, shtet i pavarur i njohur nga mbi 100 shtete.

Procesi historik i largimit të Serbisë 1945-2008 u zëvendësua me projektin e negociatave për kthimin kushtetues të Serbisë në Kosovë. Në këtë projekt, përfaqësues eminent i Kosovës është Hashim Thaçi.

Transformimi konceptual është bukur thjesht i shpjegueshëm në këtë rrëfim të shkurtër: Kosova duhet të kthehet te platforma bazike, ajo me të cilën kërkon negociata të barazisë me Serbinë, pra negociata për fqinjësi të mirë, jo për vazhdimësi të pranisë së Serbisë në Kosovë.

KD: Në kuadër të projektit të KFOS-it për mbështetje dialogut, keni zhvilluar disa takime me udhëheqës shtetërorë dhe përfaqësues të opozitës. Cila është ndihma që synoni të ofroni dhe a do të jeni pjesë e Ekipit negociator?

Surroi: Projekti ka parasysh identifikimin e pikave të mundshme konsensuale në spektrin politik të Kosovës, dhe më gjerë, në shoqëri civile. Të gjithë liderëve u kemi ofruar atë që kemi identifikuar, në bazë të debatit që kanë zhvilluar vetë përfaqësuesit e partive dhe të shoqërisë civile, pikat që mendojmë se reflektojnë konsensusin e tyre.

Që të gjithë liderët, të përfshirë a jo në procesin negociator, kanë mirëpritur draftet e prezantuara.

KD: Për ta përmbyllur kapitullin me Serbinë, një institucion kushtetues, siç është presidenti nuk e përjashton as opsionin e ndryshimit të kufijve. Apo rrezikohet Kosova e 17 shkurtit nga këto përpjekje dhe çfarë veprimesh do të ndërmerren për ta parandaluar këtë?

Surroi: Hashim Thaçi me përsëritjen se është gati të bëjë këtë apo atë ndryshim në Kushtetutë të Kosovës bën, me vetëdije apo jo, dy gabime. Një, tregon sjelljen e kapësit të shtetit, pra të atij që duke qenë padron i Kushtetutës, territorit, PTK-së, RTK-së, ish-Kooperativës së Malizhganit etj., mund të hedhë në pazar kur të dojë. Dy, duke i vënë në pazar, tregon se çdo gjë është për pazar, sepse nëse mund të vihet për negociata territori dhe rregullimi kushtetues i vendit, atëherë e tërë paketa e konsoliduar e Pavarësisë, e vulosur me mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë më 2010 është, po ashtu, për debat.

KD: Kosova është futur në telashe me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, për shkak të refuzimit të kryeministrit që ta pezullojë taksën ndaj mallrave serbe, për t’i dhënë shans marrëveshjes përfundimtare me Serbinë. A prodhon pasoja, mbajtja në fuqi e kësaj mase?

Surroi: Pa dyshim që prodhon pasoja, për që të gjithë. Një masë prej 100 për qind për produktet serbe tregon nivelin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Është krejtësisht e qartë se kjo masë duhet të hiqet, por është krejtësisht e paqartë kur dhe si.

Caku duhet të jetë një gjendje normaliteti mes Kosovës dhe Serbisë, në një hapësirë të lëvizjes së lirë të mallrave, kapitalit dhe njerëzve dhe drejt këtij caku duhet punuar. Por nuk jam i sigurt që drejt këtij caku është negociuar në Bruksel; përkundrazi. Dhe kjo gjë sjell paradoksin e radhës: po të hiqet taksa sot, në interes të një caku për lëvizje të lirë të mallrave e njerëzve mund të rikthehemi te një proces negociator të kotë e të dëmshëm, të cilin e ka zhvilluar me “suksesin” e parë deri tani Hashim Thaçi.

Më duket që do të ishte mirë të punohet paralelisht për pezullimin e taksës dhe fuqizimin e kornizës negociatore mes Kosovës dhe Serbisë.

Model i shantazhueshmërisë

KD: Sa ka nevojë të ndryshohet marrëdhënia që Kosova ka ndërtuar me ndërkombëtarët gjatë këtyre viteve?

Surroi: Diplomatët janë njerëz si të gjithë të tjerët. Nëse shohin se pala tjetër është e dobët apo e shantazhueshme atëherë këtë do ta shfrytëzojnë.

Marrëdhëniet e bashkësisë ndërkombëtare me liderët kosovarë gjatë dhjetëvjetëshit të fundit janë ndërtuar në masë të madhe me modelin e shantazhueshmërisë së Hashim Thaçit. Gjatë dhjetë vjetëve raporti Marty ka krijuar jo vetëm Gjykatën Speciale, por edhe tërë sjelljen ndërkombëtare të Kosovës. Shteti ynë paguan për shumë vjet me radhë agjenci lobimi në Washington e gjetiu jo për të avancuar interesat e vendit, por për të penguar shkuarjen e Hashim Thaçit në burg. Porosia e vetme të cilën e promovojnë lobuesit formulohet me këtë thjeshtësi: Hashim Thaçi nuk është kriminel, është burrështetas dhe partner i besueshëm i Perëndimit.

Nga ky këndvështrim, është lehtë i kuptueshëm modeli i pranimit të çdo gjëje që vjen nga diplomatët në dhjetë vjetët e fundit.

Për ata që kanë pak kujtesë të mbetur, ndoshta mund t’iu bjerë në mend se para disa vitesh ambasadorë të vendeve shumë të respektuara në Kosovë deklaronin se Bashkësia e komunave serbe, e atillë çfarë pranoi Hashim Thaçi, është në interes të Kosovës.

KD: Në shumë raporte vendore dhe ndërkombëtare Kosova përshkruhet si vend që udhëhiqet nga krimi i organizuar dhe korrupsioni, ku ka mungesë të zhvillimit ekonomik e nivel të lartë të papunësisë? Si duhet ndryshuar kjo gjendje?

Surroi: Siç thash, modeli Thaçi i kapjes së shtetit është ai që ka krijuar këtë gjendje. Dhe kjo gjendje ndryshon vetëm me ndryshim modeli.

Duhet zgjim, zgjim i të gjithë të zhgënjyerve. E të zhgënjyerit përbëjnë shumicën, ata gjithnjë përbëjnë shumicën.

Kapësit e shtetit, si dikur me Milosheviqin, janë pakicë.

KD: Matjet e pulsit publik kanë treguar në vazhdimësi për rënien e besimit në politikë, liderë dhe institucione? Nëse vazhdon ky trend i rënies së besimit, cilat do të jenë pasojat në vitet e ardhshme?

Surroi: Janë tri rrugë të mundshme. Një, shkërmoqja e mëtejme e shtetit dhe shoqërisë, me një model tashmë të verifikuar, të jetës prej mjeteve të diasporës. Dy, e në rrjedhë me rrugën e parë, rritja e numrit të të larguarve nga ky vend, në mënyrë që të financohet vazhdimësia e shkërmoqjes. Dhe tre, ngritja në këmbë e të zhgënjyerve, e atyre që u bie ta çlirojnë sërish vendin.

KD: Cila është rruga që duhet ndjekur drejt ndërtimit të një konsensusi për të ardhmen e shtetit?

Surroi: Gjendja më duket si në pjesën e dytë të viteve tetëdhjetë. Mund të ketë mbetur vetëm rruga.

Login to post comments