Maqedonia e Veriut formon Agjencinë për Siguri Kombëtare

E Enjte, 21 February 2019 12:18

Qeveria e Maqedonisë së Veriut, gjatë seancës së mërkurës ka marrë vendim për formimin e Agjencisë për Siguri Kombëtare, e cila do të duhet të zëvendësojë organin e deritanishëm, Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim që njihet për ndjekjen e përgjimeve të jashtëligjshme.

Përmes themelimit të Agjencisë për Siguri Kombëtare synohet të reformohet Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim.

Ligjeve për reforma në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim, përkatësisht atyre në bazë të të cilëve do të formohet Agjencia për Siguri Kombëtare, u është vendosur shenja evropiane, me qëllim që të kalojnë me procedurë të përshpejtuar në Kuvendin e Maqedonisë.

 

Në bazë të ligjit të ri, Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim nuk do të jetë më pjesë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, por në bazë të realizimit të reformave që parashihen në sistemin e sigurisë dhe kundërzbulimit, do të formohet Agjencia për Siguri Kombëtare si trup i veçantë.

Zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Mile Bosnjakovski, tha sot për mediat se Qeveria ka shqyrtuar tri modalitete për reformimin e Drejtorisë për Zbulim dhe Kundërzbulim , e para që kjo drejtori të funksionojë sipas modelit aktual, ndarjen e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim nga dikasteri i policisë, si dhe bashkëngjitja e Drejtorisë për Zbulim dhe Kundërzbulim me Agjencinë për Kundërzbulim.

Sipas tij, në fund, Qeveria ka vendosur që Agjencia për Siguri Kombëtare të jetë tërësisht e ndarë nga dikasteri i policisë.

“Kemi zgjedhur modelin e dytë, pra që të formohet një organ i mëvetësishëm, pasi ky është modeli i cili mundëson shpërqendrimin e pushtetit dhe fuqisë së shërbimeve të zbulimit në shtet. Në të njëjtën kohë pamundëson edhe keqpërdorimet në të ardhmen”.

“Me këtë propozim-ligj, njerëzit që do të punojnë në këtë institucion nuk do të kenë autorizime policore, por do kenë vetëm funksione operative. Pra, do të bashkëpunojnë me institucionet e tjera duke shkëmbyer informacione”, tha zëdhënësi Bosnjakovski.

Në vijë të njëjtë është edhe profesori Vlladimir Pivovarov,sipas të cilit përmes këtyre reformave, Maqedonia e Veriut instalon praktikat e vendeve të zhvilluara evropiane.

“Me një projekt të këtillë ne si shtet ndjekim praktikat evropiane, ku kompetencat të cilat më parë i kishin shërbimet e inteligjencës, të cilat vepronin në kuadër të dikasterit të policisë, tani i kalojnë një trupi krejtësisht të pavarur, duke pamundësuar keqpërdorimet”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Pivovarov.

Përderisa Qebir Avziu, ekspert për çështje të sigurisë, për Radion Evropa e Lirë thotë se mënyra se si është paraparë të funksionojë Agjencia për Siguri Kombëtare, nuk eliminon në formë të plotë të gjitha mundësitë për keqpërdorimin e sistemit të përgjimeve, veçanërisht në një shtet siç është Maqedonia e Veriut, ku nuk funksionon etika e respektimit të moralit të punës.

“Në këtë formë siç është paraparë me ligj, autorizimet dhe kompetencat që do të ketë Agjencia për Siguri Kombëtare në të ardhmen krijohet mundësi që të vazhdohet me përgjimet dhe aplikimin e masave të posaçme hetimore. Fillimisht ishte menduar që Agjencia mos t’i ketë të gjitha kompetencat në të ardhshmen sepse ato duhej t’i kalonin Agjencisë Tekniko-operativ, që u themelua kohë më parë. Por, tani vërehet se me ligjin e ri edhe Agjencia e re do t’i ketë po të njëjtat autorizime që i ka pasur më parë . Kështu që, në këtë mënyrë i jepet mundësi dhe hapësirë që përgjimet e jashtëligjshme të vazhdojnë edhe në të ardhmen”, thotë Avziu.

Ndryshe ,nevoja për reformimin e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim në Maqedoninë e Veriut, u aktualizua pas zbardhjes së aferës së përgjimeve, përkatësisht pasi u bë e ditur se mijëra qytetarët në vend ishin përgjuar në mënyre ilegale.

Reformat në shërbimet e sigurisë ishin një nga kërkesat kyçe të faktorit ndërkombëtar sa o përket përmbushjes së detyrimeve që ka marrë përsipër Maqedonia e Veriut në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Login to post comments