Një operacion për shkatërrimin e një rrjeti trafikimi kokaine në Shqipëri dhe itali ka nxjerrë në skenë përsëri emrin e Arbër Çekajt.
Mediat italiane njoftojnë se është finalizuar me sukses operacioni “Contadino” nga i cili janë arrestuar 19 persona nën akuzën e trafikut të drogës nga Shqipëria në krahinën e Novaras në Itali.
Natën midis të dielës dhe të hënës, në Novara u arrestuan 14 persona, 7 shtetas shqiptarë, 6 italianë dhe një maroken, ndërsa 5 arrestime të tjera u kryen midis Alessandria, Pavia, Massa Carrara dhe Busto Arsizio. 7 persona të tjerë aktualisht janë në kërkim për të njëjtat akuza.
Sipas mediave italiane operacioni ka mundësuar ndërprerjen e një rrjeti të degëzuar të importit dhe shitjes së kokainës, menaxhuar nga shqiptarët të pranishëm rregullisht në territorin italian.
Kokainë e pastër, mbi 95%, vinte nga Kolumbia në Shqipëri. Nga aty transportohej në Novara, nga ku shpërndahej në tregun vendor dhe një pjesë shitej në provinca të tjera, si Alessandria, Pavia, Massa Carrara dhe në zonën e Busto Arsizio.
Sasia mujore ishte midis 5 dhe 10 kilogramëve për disa qindra mijëra euro. Kreu i organizatës, shkruajnë mediat italiane, u arrestua në Gjermani pasi kërkohet në Shqipëri për importimin e një ngarkese prej 600 kilogramësh kokainë nga Kolumbia.
Gjatë dy viteve hetime, janë sekuestruar rreth 50 kg kokainë në provincën e Novara dhe ato të Pavia, Varese, Alessandria dhe Massa Carrara.
Hetimet, të cilat filluan në gusht të vitit 2017, çuan fillimisht në arrestimin e 4 personave dhe sekuestrimin e 4 kg kokainë, aksion i zhvilluar në Novara përgjatë viteve 2017-2018.
Mediat italiane shkruajnë se operacioni i zhvilluar ditën e djeshme ka mundësuar ndërprerjen e një rrjeti të degëzuar të importit dhe shitjes së kokainës, menaxhuar nga shqiptarët të pranishëm rregullisht në territorin italian.
Kujtojmë se më 4 maj të këtij viti u arrestua në Gjermani Arbër Çekaj i akuzuar për trafikun e 600 kg kokainë me anë të një kontejneri bananesh. Kjo ishte sasia rekord e sekuestruar në vendin tonë.