Autoritet serbe po vazhdojnë betejën e ashpër diplomatike kundrejt Kosovës, pavarësisht thirrjeve të SHBA-së dhe të shteteve të QUINT-it për ta ndaluar atë. Edhe pse Serbia është zotuar se nuk do ta ndalë ofensivën për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë ndaj Kosovës, zyrtarë të këtij shteti po kërkojnë me ngulm nga Kosova ta heqë taksën ndaj produkteve serbe. Sipas analistëve, në Kosovë po heshtet ndaj agresivitetit diplomatik serb edhe për shkak të procesit transitor të ndërrimit të qeverive, shkruan gazeta “Zëri”.
Fushata e egër diplomatike nga ana e Serbisë, e cila po lobon në botë për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe po pamundëson anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare, nuk ka të ndaluar, ndonëse bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht SHBA-ja dhe shtetet e QUINT-it i kanë bërë thirrje Serbisë që të ndalojë këtë betejë ndaj Kosovës. Autoritetet serbe, të cilat po i injorojnë këto kërkesa, janë zotuar se assesi nuk do të ndalen, madje kanë paralajmëruar se do ta ashpërsojnë këtë fushatë.
Të paktën kështu deklaroi shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiq në një takim të mbajtur gjatë kësaj jave me ambasadorin e sapoemëruar amerikan në Beograd Anthony Godfreyn, duke pohuar se nga SHBA-ja u është kërkuar ndalja e fushatës.
“Ne kemi biseduar pak edhe për Kosovën dhe natyrisht ata janë gjithmonë të interesuar nëse ne do të vazhdojmë të punojmë për tërheqjen e njohjeve. Nuk vjen në shprehje që ne ta ndalim fushatën dhe ata të udhëheqin kampanja për njohje, duke përfshirë edhe shtetet e QUINT-it, por biseda jonë ka qenë shumë korrekte”, ka thënë Daçiqi pas këtij takimi. Në anën tjetër, Kosova si kundërpërgjigje ndaj fushatës serbe pati vendosur në nëntorin e vitit të kaluar taksë 100% ndaj produkteve serbe dhe boshnjake. E pikërisht kjo taksë po shfrytëzohet nga ana e shtetit serb për ta bllokuar dialogun me Kosovën.