Italia e kërkon për terrorizëm, Bardhyl Hoxha: Akuzat false të stisura nga Shqipëria

Saturday, 02 November 2019 15:54

Pas publikimit të medieve italiane për një sulm terrorist të ngjashëm me atë Teatrit Bataclan në Francë, ka reaguar njëri nga dy shqiptarët e shpallur në kërkim, Bardhyl hoxha.

Në një prononcim për televizionin “Ora News”, Hoxha tha se banon prej 18 vitesh në Francë dhe nuk ka lidhje me lajmet për terrorizëm të cilat i kishte dëgjuar vetëm para një ore duke parë lajmet.

Ai shtoi se është gati t’i dorëzohet policisë. Hoxha u shpreh se të gjitha akuzat ndaj tij janë false dhe të stitura nga një person nga Shqipëria me të cilin ai kishte konflikte. Zoti Hoxha pranoi se kishte patur më parë probleme me drejtësinë italiane, pasi ishte akuzuar për drogë, por mohoi të kishte lidhje me terrorizmin.

“Unë akuzat tani i mora vesh. Nuk kam lidhje fare me terrorizëm. Mi kanë bërë falso krejt. Unë jam në Francë, kam 18 vite me gjithë fëmijët jam me të gjithë njerëzit e mi këtu. Ndoshta mund të kenë dyshime, ku di gjë unë. Po unë jetoj këtu e nuk kam asnjë lloj problemi, jo më për terrorizëm. Nuk e di ç’tju them. Këto janë akuza falso që mi kanë bërë nga Shqipëria. Që nuk e di se si, nga Shqipëria e ka bërë dhe në Itali, ka paguar lekë. Unë i përgjigjem autoriteteve, policisë, të gjithëve. U përgjigjem një më një. Jo 126 vjet sa e kanë dënuar atë tjetrin por bëj 245 pa asnjë lloj problemi.

Nuk kam asnjë lloj lidhje. Unë jam njohur sot para një ore me akuzat, t’u pa lajmet. Kam qenë në Itali, kam pas probleme. Jam paraqit në Francë në polici vetë, më kanë ekstraduar në Itali, kam ndenjur 3 muaj në burg, tre muaj në arrest shtëpie. Ato italianët nuk e di as vetë se si me ta shpjegu, bëra burgun. Për drogë. Ato thonin ashtu, unë shkova me taku kushëririn, bëra fotografi, dola në gjyq e dola i pastër.

Është e sigurt. Emra konkret s’e them tani unë. Drejtësisë ia them emrat konkretë. Do i shkoj deri në fund. Kam patur konflikt më përpara në Shqipëri. Unë konfliktit do i shkoj deri në fund.”, tha Hoxha.

Mes të tjerash ai shtoi se nuk e njeh e as ka lidhje me Bujar Hysën, personin e dytë të shpallur në kërkim nga autoritetet italiane.

“As nuk e njoh, hera e parë që e dëgjoj.s e njoh fare, as kam pas lidhje ndonjë herë me këtë person. Nëse ata gjejnë një lidhje unë i paraqitem policisë me dëshirë. S’i trembem kësaj akuze.”, tha ai.

Hoxha shtoi se do dorëzohej në polici, për të qartësuar pozicionin e tij.

“Unë i përgjigjem Interpolit, FBI-së, jo policisë, po e po. Kur pritet të ndodhë? Shkoj që sot unë. Siç jam paraqitur herëne parë, shkoj prapë unë.”- tha ai

Login to post comments