Pas vendimit të sotëm të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa që të anulohen votat e ardhura nga Serbia, koalicioni Nisma-AKR-PD, sipas rezultateve aktuale të zgjedhjeve të 6 tetorit, e kalon pragun zgjedhor prej 5 për qind, shkruan Koha.net
Nëse kjo nuk ndryshon për 24 orët e ardhshme për shkak të ankesave të mundshme ndaj vendimit, dhe nëse rinumërimi i 1472 vendvotimeve nuk ndryshon rezultatin e Nismas, koalicioni Nisma-AKR-PD do të jetë subjekti i pestë parlamentar.
Fatmir Limaj është prijës i këtij koalicioni me 26 mijë e 14 vota. Behgjet Pacolli me 10525 është deputeti i dytë.
Endrit Shala e Haxhi Shala të Nismës po ashtu do të jenë pjesë e Kuvendit, gjithnjë nëse koalicioni mbetet mbi prag. Mirlinda Sopi Krasniqi dhe Albulena Balaj përmbyllin listën e gjashtë deputetëve të këtij koalicioni.
Deputetë s’do të arrijnë të bëhen ish-deputetët Bilall Sherifi, Zafir Berisha e Islam Pacolli.