Deri në tri javë mund të zgjasë procesi i rinumërimit të mbi 1400 vendvotimeve në Kosovë. Çertifikimi i rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të zhvilluara në shtator duhet të presë ende.
Nga Deutsche Welle
Procesit të zgjedhjeve të 6 tetorit në Kosovë nuk po i shihet fundi, ndonëse KQZ-ja shpalli rezultatet përfundimtare, por ishte Komisioni për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) që ktheu pothuajse gati në fillim procesin e numërimit. Pas ankesave të partive politike për parregullsi në rezultate, një herë mbi 400 vendvotime dhe së fundi mbi 1400 vendvotime, votat duhet të rinumërohen dhe kjo mund ta ndryshojë rezultatin përfundimtar. Ajo nuk mund të ndryshojë renditjen e partisë fituese të zgjedhjeve, por numrin e deputetëve.
Procesi i rinumërimit të 1472 vendvotimeve, filloi më (13.11), dhe ky proces pritet të zgjatë jo më pak se tre javë. Si pasojë çertifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit do të zvarritet deri në fillim të dhjetorit. Këtë e thonë përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile që monitorojnë procesin e zgjedhjeve, si KDI.
"Nëse merret parasysh dinamika e procesit të rinumërimit nga procesi paraprak që është zhvilluar në dy raundet e rinumërimit, atëherë unë besoj se me dinamikën e njëjtë do t'i duhen QNR të paktën deri në 3 javë për të përfunduar procesi i rinumërimit për këto qendra”, thotë Eugen Cakolli.
Ku mund të ketë ndryshim rezultati?
Në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve mund të sjellë ndryshime një vendim i PZAP-së, që me një vendim shpalli të jashtëligjshme afro 3100 vota të ardhura nga Serbia. Në bazë të sistemit proporcional, mungesa e këtyre votave në rezultatin përfundimtar, mund t'i sigurojë kalimin e pragut dhe hyrjen në parlament koalicionit Nisma-AKR-PD, e cila mund të sigurojë pak mbi 5%, ose gjashtë ulëse në Kuvend që rrjedhimisht e ndërron edhe numrin e ulëseve të partive të tjera. Vetëvendosja nga 32 në 29 deputetë, LDK, nga 29 në 28, PDK nga 26 në 25 dhe AAK nga 14 në 13 deputet, por, kjo do të dihet pasi të rinumërohen kutitë nga vendvotimet dhe të shpallet sërish rezultati përfundimtar, ku nuk do të ketë më të drejtë ankimimi.
Serbia kritike pas vendimit në Prishtinë
Për shpalljen e jashtëligjshme të mbi 3 mijë votave të ardhura nga Serbia, reagoi shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë Marko Gjuriq. "Jo vetëm që nuk u lejohet të jetojnë në vatrën e tyre shekullore, por edhe u mohohet e drejta për të shprehur vullnetin e tyre politik në çfarëdo mënyre”, citojnë mediet në Serbi Marko Gjuriqin. Sipas tij, pasi Lista Srpska doli subjekti politik nga radhët e serbëve më i votuar në Kosovë, "në Prishtinë dolën me idenë që ato të anulohen”, tha Gjuriq. Megjithatë sipas tij, Lista Srpska vazhdon t'i mbajë 10 vendet e rezervuara për ta.
Megjithë zvarritjen e përfundimit të procesit zgjedhor të zgjedhjeve të 6 tetorit, dy partitë që dolën të parat në zgjedhje, lëvizja Vetëvendosja dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, po vazhdojnë harmonizimin e programeve të tyre për koalicionin e përbashkët qeverisës. Pretendent për postin e kryeministrit është lideri i lëvizjes Vetëvendosja Albin Kurti, meqenëse partia e tij doli e para në zgjedhje.
Takime të Vetëvendosjes me LDK - harmonizimi i programeve vazhdon
Për krijimin e qeverisë së re të Kosovës duhet pritur çertifikimi i rezultatit të zgjedhjeve. Pastaj bëhet konstituimi i Kuvendit dhe betimi i deputetëve të rinj. Më pas presidenti i Kosovës i kërkon partisë fituese të zgjedhjeve apo koalicionit pas-zgjedhor që duhet formuar me partinë fituese, nominimin e kandidatit të saj për kryeministër, i cili duhet të marrë të paktën 61 vota nga 120 vende në parlament në mënyrë që ta marrë mandatin për krijimin e qeverisë së re.
Pakicat kombëtare kanë 20 vende të garantuara në Kuvendin e Kosovës, ndërsa, në qeverinë e re të paktën një dikaster qeveritar duhet t'i takojë përfaqësuesve të serbëve të Kosovës. Bazuar në dinamikën e zhvillimeve rreth përmbylljes së procesit zgjedhor, sipas analistëve qeveria e re e Kosovës mund të formohet deri në fund të dhjetorit.