Nga Jakup Krasniqi.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, ata që e votuan Ligjin për Gjykatën Speciale, shërbim të keq, tepër të keq ia kanë bërë Kosovës, jo vetëm për të kaluarën më të lavdishme të kombit, por edhe të sotshmes e së ardhmes.
Jo vetëm që një armë kriminale ua kanë dhënë armiqve tanë shekullorë, por edhe miqve, që engjëjt e Lirisë sonë, i quajnë kriminelë lufte.
Po të shkohej sipas kësaj logjike, atëherë edhe ushtarët e Aleancës Antifashiste duhet t’i quajmë kriminel lufte?!
Këta të fundit janë quajtur çlirimtarë!
Pse çlirimtarët e Kosovës të quhen kriminelë?!
Ky është absurditet i pashembullt në historinë e njerëzimit.
A ka më absurditet sesa çlirimtarët t’i quash kriminelë e ta kërkosh burgun për ta; vërtet është guxim njerëzor.
E në anën tjetër, kriminelët që i kanë shërbyer me devotshmëri politikave të gjenocidit - që kurrë nuk janë distancuar nga ato politika të krimit të gjenocidit, pjesë e të cilave politika kanë qenë e mbase edhe kanë mbetur - t’i konsiderosh partnerë për dialog, është absurditet. Ketë po e them për disa arsye.
E para, Serbia asnjëherë deri më tani nuk është shkëputur nga politikat luftënxitëse e të gjenocidit, politika që ishin të konstruktuara e të realizuara nga Beogradi zyrtar.
Përkundrazi, drejtuesit e shtetit serb sot, duke qenë edhe vetë pjesë e këtij gjenocidi, nuk e pa të nevojshme distancimin as edhe një herë.
E dyta, i gjithë komunikimi i zyrtarëve të lartë serbë në raport me shqiptarët e Kosovën, në çdo rast, ka qenë e ka mbetur, në kornizat e shovinizmit të egër serb, të mitit të rremë serb për Kosovën “zemër, djep e shpirt të Serbisë”.
Bash mbi këto mashtrime mitike ata kanë ushtruar politikën e gjenocidit për zhdukjen e pjesshme ose të tërësishme të shqiptarëve nga trojet e tyre të banuara denbabaden.
E treta, në vend që zyrtarët serbë të vinin në Republikën e Kosovës për të kontribuar në normalizimin e marrëdhënieve në mes serbëve të Kosovës si komunitet pakicë me shumicën shqiptare, ata vazhdojnë t’i përdorin serbët e Kosovës si mish për top, për rrënimin e sovranitetit të shtetit të Kosovës, pra për t’i vazhduar politikat e luftës e të gjenocidit ndaj shqiptarëve.
Prandaj me kot mundohen disa qarqe edhe perëndimore që Vuçiçin e vuçiçët pinjollë të Millosheviçit t’i dekriminalizojnë. Ata duhet ta dinë se djalli i djeshëm i politikës së gjenocidit serb nuk mund të bëhet dot engjëll i sotëm i demokracisë, as në Serbi e as në rajon.
Sot, jo vetëm që nuk po bëhet kjo, por të gjitha energjitë e vendeve demokratike janë drejtuar me të gjithë makineritë e tyre mediatike e diplomatike për të gjetur “fakte” të konstruktuara në Beograd dhe nga miqtë e regjimit serb të Millosheviçit në Evropë, për t’i dënuar engjëjt e çlirimit të Kosovës, të cilët ishin edhe aleatë të euro-atlantikëve për lirinë e çlirimin e Kosovës.
Engjëjve të çlirimit të Kosovës nuk mund t’u vishen krimet e Serbisë gjenocidiste.
Edhe nëse do të dënohet ndonjë luftëtar i lirisë, turpi do të bjerë mbi argatët e politikave të krimit e të gjenocidit të ushtruar mbi popullin shqiptar, mbi fëmijët, grat e qytetarët e moshës së tretë.
Natyrisht, turpi do të bie mbi gjithë ata që iu nënshtruan diktatit despotik si dhe mbi ata që iu gëzuan dhe i gëzohen kësaj vepre antinjerëzore e anticivilizuese për sot a nesër.
Luftëtarët e Lirisë do të mbeten të tillë për jetë e mot!