Policia e Kosovës arrestoi Haxhi Hotin nga radhët e Nismës Socialdemokrate, nën dyshimet për kërcënim ndaj kryetarit të lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Zoti Hoti përmes një postimi në rrjetin social facebook, kishte shkruar se “John F. Kennedy ishte interes i popullit amerikan që të jetë President, por nuk ishte interes i shtetit amerikan që të jetë President. Albin Kurti është interes i popullit të Kosovës ndoshta, po nuk është interes i shtetit të Kosovës të jetë kryeministër. Albin Kurti i ka dy rrugë: ose ta lëshoj Kosovën ose të vritet”, kishte shkruar ai.
Postimi nxiti shumë reagime pas të cilave ai e fshiu atë duke kërkuar falje në një postim të ri në të cilin tha se “Ishte një gabim teknik i imi, ku mediet pa me pyetur mua e kanë shpërndarë këtë shkrim! Kërkoj falje publike”. Po ashtu ai tha se qëndrimet e tij nuk paraqesin qëndrimet e subjektit të tij politik.
Policia e Kosovës tha se e ka trajtuar rastin si "shtytje në vrasje" dhe i dyshuari është arrestuar. Tashmë atij i është caktuar masa e ndalimit 48 orësh.
Lëvizja Vetëvendosje, tha se ka paraqitur kallëzim penal ndaj zotit Hoti.
“Ne nuk e dimë nëse ai kërcënim ka qenë i porositur, gjakftohtë, apo i nxitur nga kultura e urrejtjes ndaj Lëvizjes, e cila është kultivuar për vite me radhë nga subjektet e pushtetit, që janë pasuruar paligjshëm duke varfëruar Kosovën. Këto gjëra duhet t’i zbulojë policia e prokuroria”, thuhet në një reagim të lëvizjes Vetëvendosje.
“Megjithatë, rasti ka rrethana rënduese, për shkak se kërcënuesi është pjesë e listës së kandidatëve për Kuvendin e Republikës, nga një parti e koalicionit PAN, të shquar për keqqeverisje e kapje të shtetit. Përveç subjektit të vet partiak, nga postimet e tij publike në rrjete sociale kuptohet se kërcënuesi është edhe adhurues i madh i presidentit të Republikës”, thuhet mes tjerash në postim.
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi shkroi në një postim në facebook se "Nisma që nga fillimi ka qenë dhe është kundër çdo dhune a kërcënimi. Ishim dhe jemi për drejtësi e shtet ligjor - kushdo që është jashtë kësaj fryme, nuk është NISMË!
Të dielën zoti Kurti shkroi në facebook: "unë nuk jam John Fitzgerald Kennedy kurse z. Haxhi Hoti nuk është Lee Harvey Oswald. Nuk mund t'i vlerësoj çështjet e sigurisë dhe as të përzihem në ato të drejtësisë, por besoj që do të ishte mirë që z. Hoti të lirohet e ta presë Vitin e Ri 2020 me familjen e tij në shtëpinë e tij".
Lëvizja Vetëvendosje doli e para në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit dhe kryetari i saj Albn Kurti është kandidat për kryeministër të Kosovës. Negociatat e kësaj lëvizjeje për krijimin e qeverisë në koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës pritet të ripërtërihen pas dështimit të deritashëm për t'u pajtuar rreth ndarjes së pushtetit.