"Kosova dhe Gjermania suksesshëm kanë thelluar bashkëpunimin bilateral në fushën politike dhe ekonomike, si një e arritur e madhe strategjike për vendin dhe rajonin," tha sot Ramush Haradinaj, Kryeministri në detyrë i Kosovës pas takimit me znj. Susanne Schütz, Drejtoreshën për Evropën Jug-Lindore, Turqi dhe shtetet anëtare të Asociacionit Evropian për Tregti të Lirë në Ministrinë e Jashtme Gjermane.
Haradinaj tha se në takim theksoi se " Kosova është e fokusuar në avancimin e partneritetit me shtetin gjerman, siç kemi punuar shumë në jetësimin projekteve ekonomike si ITP në Prizren dhe Sowi Kosova dhe ngjashëm edhe në aspektin politik, duke e falënderuar këtë vend për qëndrimin konsistent në mbrojtjen e integritetit territorial të vendit.
Po ashtu, shpreha gatishmërinë e institucioneve të vendit për vazhdimin e dialogut, të kornizuar që çon në marrëveshje finale me njohje reciproke në kufijtë ekzistues dhe në partneritet të mirë me të gjitha vendet e rajonit.
Përmenda suksesin e Kosovës në procesin e fundit zgjedhor në vend dhe pritjet që kemi për konstituimin sa më të shpejt të Qeverisë së re dhe marrjen e përgjegjësive për proceset e rëndësishme që e presin vendin.
Kosova ka arritur të krijoj aleatë të fuqishëm dhe përkrahja e Gjermanisë është tejet e nevojshme për të vazhduar integrimin e vendit në familjen e madhe europiane dhe për mundësimin e lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës, kushtet për të cilin fakt, vendi tashmë i ka plotësuar."