Një gjykatë në Prishtinë i shqiptoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh nën dyshimet për nxitje të terrorizmit, një gruaje që reagoi pas vrasjes së gjeneralit iranian Qassem Soleimani.
Gjykata tha se “ekziston dyshimi i bazuar që e pandehura I.H ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet - shtytje në kryerjen e veprave terroriste”.
Gjykata miratoi kërkesën e prokurorisë për masën e paraburgimit për shkak të drojës se “e pandehura mund të arratiset për t’i ikur përgjegjësisë penale”.
Ikballe Berisha Huduti u arrestua dy ditë më parë ne lidhje me postimet që kishte bërë në rrjetet sociale lidhur me vrasjen e gjeneralit iranian.
“Njerëzit si ti nuk vdesin, por te vdekurit qe ecin mbi tokë e qe mbajnë gjak krimineli, ata janë te vdekur por vetëm frymojnë për tu turpëruar vet dhe kombin e vet kriminel. Kriminelët ta deshën vdekjen e cila nuk është vdekje por shehidllek me i bukur qe ka mund ta ketë dikush ne shekullin 21”, kishte shkruar ajo në facebook. “Duke vrarë të zotin e shtëpisë, ju keni vrarë të gjithë familjen, andaj hakmarrja është e obligueshme, por nuk ka kufi”, kishte shkruar ajo.
Më pas ajo e kishte fshirë postimin e saj dhe kishte paralajmëruar padi ndaj medieve që e kishin cituar atë.
Bashkësia Islame e Kosovës, tha pas arrestimit të saj se “zonja Igballe Berisha - Huduti, asnjëherë nuk ka qenë punëtore e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe rrjedhimisht deklaratat, qëndrimet, opinionet dhe predikimet e saj nuk kanë asgjë të përbashkët me Bashkësinë Islame të Kosovës dhe as me interpretimin dhe mësimet tradicionalet të fesë islame të aplikuara ndër ne me shekuj”.
Udhëheqësit e Kosovës mbështetën veprimet amerikane ndaj Iranit.