Albin Kurti ofertë të fundit Mustafës, çfarë i kërkoi në orët e vona të natës së kaluar

Tuesday, 14 Janar 2020 11:52

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka dërguar mbrëmë vonë ofertën e fundit, kryetarit të LDK-së, Isa Musatafa.

Në këtë ofertë, të cilën e ka siguruar Insajderi, Kurti ka propozuar rritjen e numrit të ministrive nga 12 në 14. Kësisoj, LDK do të ketë gjashtë ministri, VV, pesë, derisa minoritetet tri ministri.

Oferta nga Kurti tek Mustafa ka shkuar të hënën rreth orës 22:00.

Në këtë ofertë janë detajuar të gjitha pozitat që do të mbante secili subjekt.

“Kryeministri, kryetari i Kuvendit, zv.kryeministri i 2-të, një nën-kryetar Kuvendi, 5 ministri do t’i takonin VV-së”, thuhet në propozim.

VV, në këtë propozim ka ofruar që LDK të ketë zv,kryeministri i 1-rë, nënkryetari i 1-rë i Kuvendit, 6 ministri, dy zv.ministra më shumë se LVV.

Po ashtu VV është pajtuar që LDK ta propozojë kandidatin për President i cili sipas VV-së plotëson të gjitha kushtet dhe te gjitha kriteret kushtetuese.

“Nëse, për çfarëdo arsye nuk zgjedhet Presidenti, atëherë LDK do ta marrë një ministri shtesë”, thuhet në propozim.

Që nga e enjtja e javës së kaluar, nuk ka pas më një takim LDK-VV. Pas këtij takimi të fundit të dy liderët e këtyre partive, ikën duke mos u prononcuar para medieve.

Ndërkaq dje, pas vizitës së ambasadorit amerikan Philip Kosnett në LDK, ku ai iu bëri thirrje të dy partive që ta formojnë sa më shpejt qeverinë, një prononcim të shkurtër e dha kryetari i LDK-së Isa Mustafa.

Kreu i LDK-së, pas takimit me Kosnett, tha se zgjidhjen e kanë VV-ja për marrëveshjen.

Ndërsa dje pas konfirmimit se nuk do të ketë takim LVV-LDK, në një përgjigje për Gazetën Insajderi, Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se nuk ka garanci për një marrëveshje me LDK-në.

Login to post comments