Gani Mehmetaj, shkrimtari dhe publicisti i njohur shqiptar, është kërcënuar me armë zjarri në shtëpinë e tij, shkruan KultPlus.
Këtë e ka bërë të ditur vetë shkrimtari përmes një postimi në llogarinë e tij personale në Facebook, ku ka shprehur shqetësimin e tij rreth këtij kërcënimi.
Mehmetaj ndër të tjerash është shprehur i pakënaqur edhe me policinë, pasiqë këta të fundit kanë qenë vetëm një herë në shtëpinë e Mehmetajt për hetime dhe më nuk kanë reaguar rreth kësaj çështjeje.
”Paralajmërimin (kërcënues) e mora!
Miq e dashamirë. Javën e kaluar me gjuajtën me armë zjarri në shtëpinë time, në dhomën e fjetjes. Predha e theu qelqin e parë, por u ndal në parvazin e dritares, në pjesën e aluminit, që ia ndryshoi drejtimin.
Erdhi policia, erdhën edhe hetuesit, maten e çmatën dhe shkuan. E morën predhën e armës që ta analizojnë në laborator. Policia shikimin e bënë të shtunën, por që nga ajo ditë nuk u dukën më.
Paralajmërimin kërcënues e mora, por tekstet që u nuk i pëlqeu dikush nuk i tërheq dot, sepse i pushtuan portalet shqipe si asnjëherë më parë.
Përmes miqve e lajmërova Ambasadën amerikane. Miqtë tjerë më lajmëruan me telefon se e kanë takuar e lajmëruar edhe OSBE e institucionet e Kosovës. ”, thuhet në postimin e Mehmetajt.