Eurodeputetja gjermane: Kosovarëve duhet t’iu hiqen vizat

Diel, 08 Mars 2020 09:27

Deputetja gjermane e Parlamentit Evropian, Viola von Cramon-Taubadel, thotë se institucioni legjislativ i BE-së do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën, në veçanti për liberalizimin e vizave.

Von Cramon, që është deputete e Grupit të të Gjelbërve në PE, thotë se barra, megjithatë, më së shumti bie tek Berlini. Ajo kujton se Gjermania nga 1 korriku i këtij viti merr përsipër Presidencën e radhës të Bashkimit Evropian, prandaj ajo shpreson se kancelarja Angela Merkel do ta shfrytëzojë këtë rast që ta heqë regjimin e vizave për kosovarët në zonën Schengen.

‘Në Parlamentin Evropian, veçanërisht ne në Grupin e të Gjelbërve, jemi të vetëdijshëm që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret teknike të kërkuara. Prandaj, i takon Këshillit – e këtu më së shumti Berlinit – që të heqë regjimin e vizave. Kjo pa dyshim është koha e duhur për ta hequr këtë regjim vizash në kohën kur Gjermania do të drejtojë Këshillin e BE-së nga 1 korriku 2020 e tutje. Shpresoj që zonja Angela Merkel më në fund ta shfrytëzojë këtë mundësi’, tha von Cramon për Koha.net.

Deputetja gjermane, e cila ishte edhe kryesuese e Misionit mbikëqyrës të Bashkimit Evropian në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 të mbajtura në Kosovë, thotë se ‘gjithçka mbetet në duar të Këshillit, e jo të Qeverisë së Kosovës’.

 ‘Kosovarët bënë gjithçka që iu kërkua. Janë përmbushur të gjitha kërkesat dhe standardet, pra kosovarët i bënë detyrat e shtëpisë. Është vetëm Këshilli, qeveritë e shteteve anëtare të cilat nuk kanë dhënë dritën e gjelbër. Por ne duhet ta sqarojmë: është koha e tyre që tash të vendosin, e jo Qeveria e Kosovës’, tha Viola von Cramon, duke shtuar se ‘çdo ditë që kalon pa një vendim për liberalizim, është sinjal i gabuar’.

Vlen të theksohet se përderisa Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian kanë dhënë dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave për Kosovën, Këshilli i Ministrave i BE-së ende nuk e ka bërë këtë, për shkak se disa nga vendet anëtare të BE-së konsiderojnë se Kosova nuk e ka përmbushur kriterin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar të nivelit të lartë.

Anëtarja e PE-së tutje thotë se është e padrejtë për kosovarët, që pavarësisht se i plotësuan kriteret e nevojshme, të vazhdojnë të mbahen peng i liberalizimit.

 ‘Kosovarëve duhet t’iu hiqen vizat. Pikë! Kosovarët i plotësuan të gjitha kriteret e kërkuara, çka tjetër duhet të bëjnë? S’është aspak e drejtë t’i ndryshosh rregullat në mes të lojës! Dhe me të vërtetë ka një mirëkuptim në Parlamentin Evropian për këtë çështje: të gjithë pajtohemi se regjimet pa viza bazohen në kritere të caktuara teknike, dhe jo në vullnetin e Këshillit. Sapo vendi të jetë gati teknikisht, kjo s’varet më nga vendimi. Në këtë rast, Këshilli po e shtyn vendimin tash një vit e gjysmë’.

 ‘E them me optimizëm të matur: ka presion të madh për shumë vende anëtare për të ecur përpara me integrimin e Ballkanit Perëndimor. Sigurisht, hapi më i rëndësishëm do të ishte fillimi i negociatave për pranimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, për t’i dhënë sinjal pozitiv Kosovës – pra heqja e vizave duhet të jetë mundësi e shkëlqyeshme për të dyja palët’, shtoi tutje ajo.

Franca dhe Holanda, ndër tjera, mbeten shumë skeptike për liberalizimin e vizave për Kosovën.

E pyetur se pse, nga informacionet që ajo ka, e kundërshtojnë këto shtete kaq shumë liberalizimin, ajo thotë se ka dëgjuar se fluksi i madh i emigrantëve të paligjshëm e azilkërkuesit i frikësojnë ata.

‘Është e vështirë edhe për mua t’i kuptoj, sinqerisht. S’jam e sigurt nëse e kuptojnë se reputacioni ynë është në rrezik. Kam dëgjuar thashetheme se ata kanë frikë nga fluksi i emigrantëve të paligjshëm që punojnë dhe nga ata që kërkojnë azil pa ndonjë arsye të fortë. Por, nëse ky është problemi i tyre, atëherë nuk është faji i Kosovës. Nëse autoritetet e tyre nuk mund të merren me punëtorë të paligjshëm dhe të zbatojnë rregulloret e tyre, pse atëherë i ndëshkojnë qytetarët e zakonshëm që duan të udhëtojnë, punojnë, vizitojnë ose jetojnë në vendet tjera të BE-së në mënyrë të ligjshme?’, u shpreh në fund të intervistës von Cramon.

Më 6 dhe 7 maj të këtij viti, në Zagreb do të mbahet samiti BE-Ballkani Perëndimor, ku pritet që çështja e liberalizimit të vizave për shtetasit e Kosovës të jetë një nga pikat që do të diskutohen.

Gjatë muajit të kaluar, në Munih u mbajt Konferenca e Sigurisë ku morën pjesë liderë bote. Aty i pranishëm ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ku mes tjerësh, kishte takuar edhe homologun e tij kroat, Andrej Pllenkoviq, i cili i kishte thënë Kurtit se vendi i tij do ta ndihmojë Kosovën të afrohet me BE-në, sikurse edhe për heqjen e vizave për shtetasit e Kosovës.

Login to post comments