Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha të premten se do të shqyrtojë me urgjencë kërkesën e lëvizjes Vetëvendosje për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit të presidentit Hashim Thaçi që i propozon parlamentit të Kosovës, Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike mandatar për formimin e qeverisë së re të Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje kërkoi nga Gjykata edhe vendosjen e masës së përkohshme për pezullimin e zbatimit të dekretit.
Gjykata tha se me qëllim të “shqyrtimit urgjent dhe gjithëpërfshirës të kërkesës”, u ka nisur letra të gjitha palëve të interesit që deri të premten në mesditë t’i dorëzojnë “komentet përkitazi me kërkesën për caktim të masës së përkohshme”.
Ndërsa “komentet përkitazi me meritat e kërkesës”, t’i dorëzojnë në Gjykatë deri më 8 maj.
“Gjykata Kushtetuese është e përkushtuar që në përputhje me përgjegjësitë dhe me funksionin e saj kushtetues, këtë lëndë ta trajtojë me urgjencë dhe prioritet”, thuhet në një njoftim të kësaj gjykate.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nënshkroi të enjten dekretin për mandatarin e ri dhe menjëherë pas kësaj Lidhja Demokratike kërkoi që seanca për votimin e kabinetit të ri të mbahet të shtunën.
Kjo parti e cila nënshkroi marrëveshje me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate dhe partitë e pakicave kombëtare, është shprehur e bindur se ka siguruar votat e mjaftueshme për miratimin e kabinetit të ri.
Procesi kundërshtohet nga lëvizja Vetëvendosje e cila kërkon zgjedhje të reja pas pandemisë së koronavirusit dhe e dërgoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese.
Presidenti Thaçi mbështeti dekretin e tij në nenin 95 të Kushtetutës së Kosovës në të cilin thuhet pos tjerash që “nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”.
Ndërsa lëvizja Vetëvendosje kërkon që të veprohet sipas nenit 82 të Kushtetutës, sipas të cilit “Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë”.
Mocioni i mosbesimit i paraqitur nga Lidhja Demokratike u miratua me 25 mars në parlamentin e Kosovës duke e lënë vendin me qeveri në detyrë në mes të përballjes me pandeminë e koronavirusit.
Analisti Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi, tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se vendosja e masës së përkohshme nga Gjykata Kushtetuese do të shmangte thellimin e krizës politike, duke pezulluar mundësinë që të mbahet seanca e parlamentit.
“Sepse nëse kjo do të ndodhë do të vijmë në situatë ku kemi dy qeveri, qeverinë Kurti dhe atë Hoti, kështu për herë të parë në Kosovë do të vinim në situatë ku do të kemi dualizëm dhe mosbesim se cila është qeveria legjitime. Në anën tjetër nëse nesër kuvendi procedon me formimin e qeverisë dhe pastaj gjykata konstaton se ka pasur shkelje kushtetuese atëherë sigurisht pasojat do t’i bartë vetëm presidenti Kosovës”, tha ai.
Presidenti i Kosovës, vendosi t’i jap mundësinë Lidhjes Demokratike për formimin e qeverisë pas disa letrave dërguar kryetarit të lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti duke i kërkuar emrin e mandatarit. Por, zoti Kurti nuk dërgoi ndonjë emër duke kërkuar shpjegime nga presidenti Thaçi rreth procesit. Kushtetuta nuk parasheh një afat të qartë se deri kur duhet të përgjigjet partia e parë.
Zoti Miftaraj tha se presidenti Thaçi nuk është dashur t’i jap të drejtën Lidhjes Demokratike pa u shterë të gjitha mundësitë për partinë fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit, ndërsa sipas tij presidenti është dashur të kërkoj një opinion nga Gjykata Kushtetuese lidhur me atë se çka mund të konsiderohet e quhet afat i arsyeshëm kohor.
“Ne e kuptojmë qasjen e gjykatës Kushtetuese që ka ndërtuar praktikën që të mos interpretojë Kushtetutën për situata hipotetike, por rasti konkret ka të bëjë me një situatë kur jemi në krizë politike dhe me qëllim që presidenti apo institucionet tjera të mos kryejnë shkelje kushtetuese është e domosdoshme që gjykata Kushtetuese të luaj rolin e saj vital dhe të interpretoj apo të jap mendim se cili është afati i arsyeshëm kohor kur lëvizja Vetëvendosje, parti fituese, do të duhej të dërgonte propozimin për mandatar për formimin e qeverisë”, tha zoti Miftaraj.
Sipas tij, në raste si ky i fundit, Gjykata Kushtetuese ka një afat prej 60 ditësh për të vendosur, por vëzhguesit besojnë se shqyrtimi i kushtetutshmërisë së dekretit të presidentit do të marrë më pak kohë duke pasur parasysh situatën në të cilën ndodhet Kosova./ VOA