Rreth 700 mijë copë duhani apo 35 mijë pako me cigare janë zënë gjatë ditës pa banderola nga Dogana e Kosovës.
Vlera e kësaj sasie arrin në 39 mijë euro.
Sipas dyshimeve, kjo sasi duhani ka hyrë në Kosovë përmes rrugëve dytësore nga Mitrovica e Veriut, raporton KTV.
Sipas të dhënave të Doganës, kontrabanda me duhan ka shënuar ngritje.
Vetëm gjatë vitit 2017, janë zënë 10 tonë duhan dhe 5 makineri për përpunim, derisa në vitin 2016 ishin zënë 9 tonë.
Arsyeja e rritjes së kontrabandës, sipas Shoqatës së Importuesve të Duhanit, është vlera e lartë e akcizës.
Në Ministrinë e Financave thonë se rritja e vlerës së akcizës është rezultat i nënshkrimit të marrëveshjes së kalendarit për rritje të vlerave të akcizës për produktet e luksit nga viti në vit.
Mirëpo, sipas këshilltarit të ministrit të financave, Lulzim Rafuna, kjo marrëveshje nuk ka gjetur zbatim në vitin e fundit në shtetet e tjera.
Ministria e arsyetoi rritjen e akcizës me qëllim të uljes së përdoruesve të duhanit. Një veprim i tillë përpos që ka mbushur buxhetin, nuk ka ndikuar aspak në këtë shprehi të përdoruesve të duhanit.
Pikat kufitare ku më së shumti kontrabandohet duhani janë Mitrovica e Veriut dhe Jabllanica e Pejës.