Historia e Shqipërisë e parë nga një personazh italian, mjaft aktiv i viteve 30-40 edhe në vendin tonë, Francesko Jakomoni. Dëshmi, fakte e kujtime të panjohura... Shtepia botuese "55" ka botuar librin hisotrik te zëvendësit te Viktor Emanuelit III në Shqipëri, Francesko Jakomonit. Nje liber qe pati mjaft sukses dhe mjafti referueshem per ngjarje e fakte te cilat kerkojne nje tjeter interpetim sa me objektiv e realsit.
POLITIKA E ITALISË NË SHQIPËRI
Autori: Francesco Jacomoni
Përktheu: Kostaq Xoxa
Gjinia: Histori
399 f. : me foto 1000 L
ISBN 99943-715-3-3
Françesko JAKOMONI
(Zëvendësi i Viktor Emanuelit III në Shqipëri
Politika e Italisë në Shqipëri, sipas Jakomonit
Në majin e vitit 1921 Shqipëria iu drejtua Shoqërisë së Kombeve, për ta ndërgjegjësuar për rregullimin e marrëdhënieve të saj me Shtetet fqinjë, që kishin nën pushtim të tyre ende troje të përfshira brenda kufijve të vitit 1913. Përfaqësuesi italian, markezi Imperiali, ngulmoi, në kundërshtim me tezën e delegatëve grekë dhe jugosllavë, se kufijtë e Shqipërisë ishin përcaktuar prerazi në vitin 1913 në Firence dhe se marrëveshjet ndërkombëtare të asaj kohe nuk ishin shfuqizuar (abroguar) ndonjëherë. Ai shtoi fjalë të një simpatie të gjallë për Shqiptarinë, dhe rikujtoi interesimin që Italia kishte mbajtur kurdoherë për lindjen dhe përparimin e Shtetit shqiptar. Ndërkaq përgatiti kërkesën që Këshilli të kërkonte nga Konferenca e Ambasadorëve, që ishte ngarkuar me këtë çështje, që të bente një ripohim të shpejtë të kufijve shqiptarë. Në të njëjtën mbledhje të 9 shtatorit, Konferenca e Ambasadorëve miratoi kërkesën për njohjen e Shqipërisë si Shtet i pavarur dhe sovran, me kufijtë e vendosur ne vitin 1913.
Një Komision i përcaktimit të kufijve, i emëruar nga Shoqëria e Kombeve, erdhi menjëherë më pas në Shqipëri, por punët ecën me javashllëk për vështirësitë e shkaktuara nga Greqia për zbrazjen e Korçës, që i përkiste Shqipërisë. Vrasja e përfaqësuresit italian në Komision, gjeneralit Telini, e kryer nga anëtarët e komiteteve nacionaliste greke, krijoi pengesa të reja për vijëzimin e kufijve. Vetëm në tetorin e 1924-s Komisioni mundi të mbarojë punimet e tij.
Në po atë datë, më 9 nëntor 1921, Konferenca e Ambasadorëve, e mbledhur në Londër, kishte pranuar sërishmi kufijtë e vjetër të Shqipërisë dhe kishte marrë një vendim tjetër me rëndesi të madhe që, ndërsa krijohej një siguri për gjallërimin e Shtetit shqiptar, njihte zyrtarisht interesin tonë për qëndrueshmërinë e mbarështimit të tij politik. Atje pohohej se dhunimi i kufijve dhe i pavarësisë së Shqipërisë, mund të shihej si një kërcanim për sigurinë dhe për strategjinë e Italisë dhe prandaj, në rastin që Shqipëria do të ndodhej në pamundësi për të ruajtur integritetin e vet tokësor, dhe i drejtohej Shoqërisë së Kombeve, qeveritë përfaqësuese u kishin dhënë udhëzime delegatëve të tyre në Këshillin e Shoqërisë së Kombeve, me porosi që rregullimi i kufijve tokësorë të Shqipërisë t’i besohej Italisë.
Ftohtësia që tregoi Zogolli, që sapo kishte ardhur në fuqi, në mbarim të vitit 1924, ndaj këtij institucioni ndarkombëtar, të bën të dyshosh që ky institucion ishte për të, në atë kohë, burim i njëfarë shqetësimi. Jugosllavia e kishte pritur mirë përçapjen e saj për të pasur një cep rreth manastirit të Shën Naumit. Ahmet Zogolli ka gjasa që të ishte shqetësuar, atëherë, se ky ndryshim, sado i parëndësishëm i kufirit, do t’i jepte shkas qeverisë që në atë kohë kishte humbur pushtetin, me personat e saj, tani të mërguar jashtë vendit, që do të mund të kundërvepronin, duke vënë në veprim mekanizmnin e parashikuar nga vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të vitit 1921.
Kështu Ahmet Zogolli kishte një interes të menjëhershëm për afrimin me Italinë. Por shkaku më i thellë që e nxiste ishte një tjetër: ai e dinte se kryengitja që më parë e kishte larguar nga fuqia, kishte gjetur tanimë një shkak në pakënaqësinë e nacionalistëve dhe në pjesën më të zhvilluar të popullsisë, kundër një qeverie në të cilën ishin përfshirë bejlerë, pronarë të mëdhenj tokash. Ata quheshin si kundërshtarë të reformave shoqërore dhe përgjithësisht të përparimit, meqë progresi do të bënte të nevojshëm pakësimin e pasurive të tyre, si edhe humbjen e prestigjit. Zogolli e kuptonte se një shkak i thellë i kryengritjes ishte edhe varfëria në të cilën jetonte populli dhe gjendja financiare e brishtë e Shtetit, e cila e pengonte organizimin e një force ushtarake, të aftë për të siguruar institucionet. Përvoja e tij vetjake në qeveritë në të cilat ishte pjesëtar, mbase e kishte bindur se fuqizimi financiar i Shtetit shqiptar, nuk mund të vinte dot nga Shoqëria e Kombeve. Nga ana tjetër një nevojë e tillë ishte e ngutshme, nëse ai donte të përforconte vepren që kishte kryer me një lëvizje të shkathët e të guximshme, që i kishin rikthyer fuqinë dhe e kishin prurë në krye të qeverisjes së Tiranës. Përvoja duhet t’i kishte vërtetuar edhe se nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Franca dhe nga Anglia, për rëndësinë e pakët që Shqipëria kishte në vështrim të interesave të tyre botërore, nuk do të kishte ndonjë mbështetje, sado të pakët, financiare. Atij me siguri duhet t’i kujtoheshin zhgënjimet nga aventurierë të panumurt që ishin derdhur si shiu nga çdo pjesë e botës, me premtime marramendëse dhe pastaj ia kishin mbathur më të katërta, pa paguar as hotelin!
Vendet që do të mundeshin, qoftë edhe për interesa të vetat, ta ndihmonin vërtet financiarisht Shqipërinë, ishin fqinjët: Jugosllavia dhe Greqia, apo edhe Italia. Jugosllavia dhe Greqia, që ishin financuar vetë nga Franca dhe nga Anglia, nuk mundeshin dot ose mbase nuk kishin interes që ta ndihmonin në rregullimin e gjendjes financiare Shqipërinë. Kështu Zogut (një shpend sipas shndërrimit të mbiemrit) nuk i mbetej veçse t’i drejtohej Italisë. Ky shtet përthithte në atë kohë dhe prej shumë vitesh më parë, katër të pestat e eksportimit shqiptar dhe furnizonte pjesën më të madhe të importimit. Edhe pa qenë nevoja të hapim statistikat, rëndësia e tregut italian për tregtinë shqiptare kuptohej edhe nga shkrimet në dyqanet e Barit, të cilat në qytetin e vjetër (città vecchia), ishin në rastet më të shumta në të dy gjuhët. Pra, prej kohësh ishte thurur një rrjetë marrëdhëniesh ekonomike që do të mundnin të lehtësonin interesin e kapitalit privat italian, sapo ai të kishte marrë zemër nga ndërhyrja zyrtare financiare e Shtetit tonë.