Google ka lançuar opsionin e ri, Travel Trends, i cili u mundëson përdoruesve të krahasojnë ndryshimet e çmimeve në periudha të ndryshme dhe të gjejnë çmimet më të lira për bileta avioni apo për rezervime në hotele.
Aktualisht opsioni është në dispozicion vetëm në gjuhën angleze dhe është përqendruar kryesisht në tre momentet kryesore të vitit: Falënderimet, Krishtlindjet dhe Ditën e Vitit të Ri.
Numri i qyteteve të përfshira për pjesën e biletave të fluturimeve është i kufizuar për momentin. Sa i takon seksionit të hoteleve, përmes këtij opsioni evidentohen hotelet e disponueshme me zbritje maksimale.
Kjo i lejon përdoruesit të ‘lundrojnë’ në lokacione të veçanta dhe motori i kërkimit do t’u ofrojë një sërë variacionesh me ofertat më të mira.
“Mund të jetë gusht, por nëse filloni të bëni planet tuaja për të rezervuar nga mesi i shtatorit pushimet e ardhshme, do t’i jepni vetes dhuratën më të mirë të pushimeve, pasi do të kurseni ca para shtesë duke përdorur opsionin Travel Trends”, tha kompania përmes një postimi.
Që prej shkurtit të këtij vitit, Google gjithashtu ka bërë të mundur që njerëzit të rezervojnë hotelin direkt nga faqja e kërkimit të motorit.