Fondi sovran i Arabisë Saudite ka nënshkruar një marrëveshje investimi prej mbi 1 miliardë dollarësh në prodhuesin e ardhshëm të makinave elektrike “Lucid Motors”. Një rival i Teslas, Lucid është po ashtu e bazuar në SHBA dhe ka qenë e specializuar në prodhimin e baterive, por prej 2014-ës ka projektuar disa prototipe automjetesh.
Përmes marrëveshjes, Lucid do të kishte financimin e nevojshëm për të bërë dalë në treg me modelin e saj të parë, Lucid Air, në vitin 2020.
Kompania amerikane do të përdorë një pjesë të fondit për të përfunduar fabrikën në Arizona, e cila do të punësojë deri në 2 mijë punonjës dhe do të prodhojë deri në 130 mijë automjete në vit.
Për Arabinë Saudite, kjo është një mundësi për të diversifikuar ekonominë e saj pas rënies së çmimeve të naftës. Shteti synon ta kthejë fondin e saj publik në fondin sovran më të madh në botë, duke kontrolluar mbi 2 trilion dollarë deri në vitin 2030.
Marrëveshja mes fondit dhe Lucid shton ndërkohë pasiguritë që rrethojnë Tesla. Fondi saudit kontrollon rreth 5% të aksioneve të Tesla dhe kishte kërkuar më parë të ndihmonte kompaninë amerikane të kalonte në shoqëri private. Por pas dështimit të planit të Musk për ta hequr listimin e Tesla nga bursat, duket se fondi është drejtuar në një investim tjetër.
Arabia Saudite vitin e kaluar shpalli planet për të investuar 45 miliardë dollarë në një fond teknologjik të drejtuar nga grupi japonez SoftBank, vendosjen e 20 miliardë dollarëve në një fond të infrastrukturës në SHBA, si dhe ndërtimin e një qyteti 500 miliardë dollarësh të quajtur Neom në Detin e Kuq.