Në një nga platformat më të mëdha të bashkëfinancimit në internet, “Indiegogo” është mbështetur gjerësht nga publiku një shpikje e re, e cila duket se përshtatet më së miri me mënyrën tonë të bashkëjetesës me pajiset e ndryshme teknologjike, që tashmë janë bërë pjesë e pandashme e përditshmërisë. Projekti i paraqitur quhej “Sobro Smart Side Table”, ku bëhet fjalë për një tavolinë “smart” e cila thjeshton shumë gjëra, nëpërmjet aftësive të saj, si karikim pa fisha, një sirtar me kondicioner, altoparlantë me bluetooth, një qendër kontrolli për aplikacione, drita LED, si dhe mund të sikronizohet me “Alexa“-n apo “Google Home“-n. Ajo është e përkryer për hapësira të vogla. Norma e financimit të projektit në “Indiegogo“ arriti në mbi 2 milionë dollarë, duke tejkaluar ndjeshëm vlerën e përcaktuar nga ideatorët për financim, në 1.5 milionë. Ekipi inovator që punoi për realizimin e këtij projekti ka qenë i mendimit se pajisjet në shtëpitë tona na ndihmojnë për të jetuar më mirë dhe ato duhen parë edhe në aspektin dytësor të tyre. Një tavolinë, për shembull, mund të jetë dhe shërbejë për më shumë se funksionin parësor të saj. Me futjen e teknologjisë “smart”, kompania ka krijuar në mobilje që mund të kryejë shumë funksione, njëkohësisht. “Sobro Smart“ kursen mjaft hapësirë dhe në të mund të futen shumë gjëra, duke zëvendësuar edhe mobilje të tjera. Brenda saj ndodhet një frigorifer i vogël, një dritë “smart”, një sirtar që kyçet, një raft për revistat, një dritë gjumi, një orë me zile, një dritë me minutazh, një makinë zhurme, altoparlantë me bluetooth, një grup shpërndarjeje USB, karikim “wireless” si dhe shumë gjëra të tjera.
Komoditeti
Sirtari i qetë, termoelektrik i mban pijet të freskëta dhe gjithmonë afër. Veprimi i qetë i sirtarit-frigorifer e bën atë të përkryer për dhomën e gjumit. Në këtë mënyrë, juve nuk iu duhet të ngriheni nga shtrati juaj, në mes të natës, për të shuar etjen, ose për të pirë një pije freskuese. Një nga kërkesat e shumta të ditëve të sotme është karikimi i një, ose disa pajisjeve teknologjike të përditshmërisë, si telefonë, tabletë, apo edhe mjete të tjera. Tavolina ka dy porta USB në pjesën ballore të saj, për të karikuar dy celularë, njëkohësisht, si dhe katër të tjera në pjesën e poshtme. Dy prej këtyre janë edhe priza normale, në të cilat mund të karikohet çdo gjë. Një veçori tejet interesante e kësaj pajisjeje është edhe pjesa e altoparlantëve me bluetooth. Në të mund të dëgjohen tingujt e muzikës së parapëlqyer, nëpërmjet lidhjes me celularin, apo me pajisjet e tjera. Në këtë mënyrë, kjo pajisje ndihmon në organizimin e dhomës. Nëpërmjet sistemit të drejtimit të kabllove ka tre kabllo magnetike, të cilat gjenden në pjesën e pasme të njësisë, duke bërë që kabllot të mos duken në pjesën e parme. Ajo është e pajisur, gjithashtu edhe me një kanal që radhit fishat, në krye të saj dhe i shpërndan në pjesën e pasme, në mënyrë që ju t’i përdorni ato, më lehtë.
Flini mirë dhe zgjohuni më me lehtësi
Mënyra inteligjente, “sleep mode”, apo në shqip, “gjendja e gjumit” ju ndihmon për të krijuar mënyra më të mira të gjumit dhe për t’i mbajtur ato. Dritat e teknologjisë “LED”, në pjesën e prapme të tavolinës mund të simulojnë lindjen e diellit, në mënyrë që t’ju ndihmojnë të zgjoheni më lehtë, ndërkohë që simuluesi i zhurmave, mund të zbehë zhurmat, nëpërmjet një morie tingujsh të këndshëm, të cilët bëhen të mundur nga aplikacioni i saj, “Sobro Smart Sleep Mode“. Shiriti LED në pjesën ballore të tavolinës mund të shërbejë si udhëzues për të ecur të sigurt në errësirë. Ai është i pajisur me një sensor, i cili vepron në kënde 35-40 gradë dhe në një perimetër, 3 metra, duke ofruar ndriçim në ngjyrë të
bardhë të ngrohtë dhe të bardhë të shndritshme. Kohëzgjatja e dritës dhe ngjyra mund të kontrollohen nëpërmjet aplikacionit.
Funksione shtesë
Ju mund të krijoni gjendjen e përkryer, nëpërmjet kësaj pajisjeje. Ndriçimi LED, me ngjyra, në pjesën e pasme të saj bën që ju të vendosni për ngjyrën, sipas gjendjes dhe humorit tuaj, vetëm me një prekje me gisht. Ju, gjithashtu, mund të vendosni edhe mënyrën tjetër të ndriçimit, i cili i përgjigjet një atmosfere me muzikë, ku dritat lëvizin më shpejt, në bazë të ritmit të muzikës. Nga ana tjetër, teknologjia “Wi-Fi” bën që aplikacioni juaj, “Sobro Smart Side Table“, të përditësohet, njëlloj si aplikacionet e tjera të pajisjeve elektronike dhe të kontrollohet edhe nëpërmjet një kompjuteri tjetër, në distancë. Për shkak të mbështetjes së madhe të financimit në këtë platformë, “Sobro Smart Table“ pritet të dalë në treg me cmimin e 899 dollarëve amerikanë. Stafi projektues i saj ka zgjedhur, pikërisht këtë platformë financimi, për shkak se ajo mundëson komunikimin me klientët dhe i bën mbështetësit financiarë të saj, pjesë e procesit të zhvillimit të produktit.
Koha e daljes në tregun masiv
Parashikimi optimist i kompanisë është që kjo pajisje, të dalë në treg në tetor 2018, duke marrë parasysh edhe ndonjë faktor të mundshëm vonese të projektit, ku mund të përfshihen përmirësime të variantit të tanishëm, shtim të mundësive, marrje të certifikatave të mundshme të vlerësimit si dhe kohën e shpërndarjes për te klientët. Kompania ka njoftuar se do të ketë një shtesë në çmim, për të gjitha porositë për në Kanada, Hauai, Alaskë dhe Porto Riko, klientët e të cilëve do të paguajnë një vlerë shtesë prej 89 dollarësh amerikanë, për shpërndarjen. Nga ana tjetër, për klientët në vende të tjera, do të jetë një vlerë më e lartë shpërndarjeje, në 119 dollarë. Ajo do të ofrohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Britani, Zvicër dhe Norvegji, paraprakisht. Pajisja do të jetë fillimisht e bardhë, e zezë dhe ngjyrë druri. Kompania ka ndërtuar edhe modelet paraprake, si dhe prototipet e tyre, duke përmirësuar dhe riskicuar pajisjen. Në një të ardhme shpresohet që të krijohet mundësia që ajo të vijë në të gjitha ngjyrat, në bazë të kërkesave të klientëve dhe kjo mund të bëhet e mundur pas shitjes së 1 milion njësive. Nga Renato Hysenllari/ SCAN Magazine