Shqipëria rezulton në 20 shtetet me shpejtësinë më të lartë të internetit në telefonat celularë, por ndër vendet e fundit në botë sa i përket shpejtësisë në lidhjet kompjuterike përmes broadband. Ky rezultat, i përllogaritur në Indeksin Global SpeedTest 2018, për shtatorin 2018, rendit ekonomitë botërore sipas shpejtësisë së lëvizshme (në celular) dhe asaj fikse, në baza mujore.
Sipas të dhënave, Mesatarja Globale e shkarkimit në celularë, është 23,64 Mbps, ndërsa e ngarkimit 9.34 Mbps. Shqipëria renditet e 20-ta në botë, me shpejtësi shkarkimi 42.52 Mbps, ndonëse me një shkallë rënëse krahasuar me gushtin 2018. Sipas këtij kriteri, Shqipëria fiton garën rajonale, ku lë poshtë Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë dhe Bosnje dhe Hercegovinën. Sipas indeksit, vihet re rritja e shpejtësisë për Malin e Zi, për të cilin përllogaritet i renditur në vendin e 22 në botë, me plot 15 shkallë përmirësim nga studimi i mëparshëm. Në botë, i pari rezulton Norvegjia, ndjekur nga Islanda dhe më pas, Singapori.
Tjetër panoramë vihet re për Shqipërinë sa i përket shpejtësisë së internetit fiks, broadband. Sipas indeksit, Shqipëria renditet e 89-a, nga 130 shtete të studiuara, sa i përket kësaj shpejtësie, në kompjutera në shtëpi ose punë. Përveçse renditemi krahas vendeve afrikane, jemi të fundit në rajon. Sipas të dhënave, shpejtësia e shkarkimit në Shqipëri është 16.91 Mbps, ku mesatarja botërore rezulton 49.26 Mbps. I pari në listë është Singapori, ndjekur nga Islanda dhe Hong Kongu.
Edhe në një studim të mëparshëm, të website të njohur cable.co.uk, mbi shpejtësinë e broadband në të gjithë botën për 2018, Singapori rezulton në krye të shteteve në botë, kur bëhet fjalë për internet të shpejtë, ndërsa Shqipëria rezulton e fundit në rajon. Në Ballkan, kryeson Serbia e renditura e 50, ndjekur nga Kosova e renditura e 53 në botë, më pas Maqedonia e 68, Bosnja e Hercegovina e 71 dhe Mali i Zi i 74. Sipas këtij raporti, Shqipëria ka zbritur plot 8 shkallë krahasuar me raportin e një viti më parë.