Është pa pikën e dyshimit divorci më i kushtueshëm në historikun e të gjitha rasteve të zgjidhjes së martesave. MacKenzie Bezos, ish-bashkëshortja tashmë e themeluesit të kompanisë teknologjike shumëkombëshe “Amazon”, Jeff Bezos, mund të quhet me plot gojën një prej grave më të pasura në botë.
Njeriu i krimbur në “verdhushka” Jeff, tejkaloi çdo pritshmëri për sjellje “kalorsiake” duke dakorduar me MacKenzie-n një faturë divorci që arrin shifrën marramendëse të 35 milionë dollarëve. Megjithatë, gruri duhet ndarë nga egjrat. Jeff-i do të mbetet aksioneri kryesor i gjigandit elektronik “Amazon”, duke ruajtur 75 % të aksioneve që zotëronte me ish-bashkëshorten, e cila do të përvetësojë vetëm 25 % të totalit, ndonëse teorikisht kishte të drejtën e përftimit të gjysmës së pasurisë në pronësi të çiftit Bezos.
Duke kaluar nga cektësia drejt thellësive, paradoksalisht ujërat nisin të turbullohen. Mbase, e zënë ngushtë prej “bujarisë shtangëse” të Jeff-it, MacKenzie i ka dhuruar atij të gjithë interesat që ajo zotëronte në të përditshmen amerikane, “Washington Post” dhe në kompaninë e zbulimeve hapësinore “Blue Origin”. Një shpagim deri-diku reciprok. “MacKenzie – shkruan Jeff-i në një postim në llogarinë e tij personale në rrjetin social ‘Twitter’- ishte një partnere, një aleate dhe një nënë e jashtëzakonshme. Ajo ishte e shkëlqyer dhe do kem gjithmonë diçka për të mësuar prej saj. E falenderoj për mbështetjen saj në këtë proces dhe mezi pres që të nisim një marrëdhënie të re mes nesh si miq dhe prindër.”
Ngjashëm, reagon në shenjë mirënjohjeje edhe MacKenzie: “Jam e kënaqur që procesi për zgjidhjen e martesës sime me Jeff-in ka përfunduar,” ka shkruar ajo fill pas deklaratës skajshmërisht dashamirëse të ish-të shoqit. Por, nuk supozohej aspak që të ndodhte kështu. Jo pas fotografive “hot” ku Jeff-i shfaqej në shoqërinë e Lauren Sanchez-it, një prezantueseje të njohur televizive. Jo pas zbulimit të beftë të kësaj tradhtie bashkëshortore. E mbi të gjitha, jo pas shantazhit të pësuar nga Jeff-i lidhur pikërisht me ato shkrepje, fillimisht të marra hajdutërisht e më pas të shfaqura faqe botës.
Shefi ekzekutiv i “Amazon”-it u martua me MacKenzie Tuttle-n në vitin 1993, gjashtë muaj pas takimit të tyre të parë në Nju Jork në fillmvjeshtën e vitit 1992. Jeff-i asokohe shërbente si nënkryetar i fondit “De Shaw & Co”, ndërsa ajo endej e patrazuar në kërkim të një angazhimi. MacKenzie, me origjinë nga San Franciskoja, është diplomuar për Letërsi me rezultate të shkëlqyera në Universitetin e Princeton-it, ku ka ndjekur gjithashtu edhe një kurs në lëndën e “Shkrimit Kreativ”, që udhëhiqej nga shkrimtarja e vlerësuar me çmimin e Nobelit, Toni Morrison.
Jetëshkrimi i MacKenzie-t përfundoi në duart e Jeff-it, i cili e thirri në një intervistë pune. Në përfundim, ajo e fitoi një vend të përshtatshëm pune dhe një ditë prej ditësh, me buzëqeshjen e saj ndjellëse, e ftoi punëdhënësin e saj për darkë. Tri muaj më pas, të ngazëllyer nga dashuria zyrtarizuan fejesën. Fryt i martesës së tyre janë katër fëmijë, tre djem dhe një vajzë.
Në renditjen e përditësuar nga “Forbes”-i, MacKenzie zë tanimë fronin e gruas së 3-të më të kamur në botë, pas trashëgimtares së “l’Oreal”-it, Francoise Bettencourt dhe Alice Walton, vajzës së themeluesit të “Walmart”-it.