Presidenti i Republikës. Zoti Ilir Meta, vendosi ditën e djeshme të anulojë Dekretin e Tij të mëparshëm për zhvillimin e Zgjedhjeve Lokale, të radhës, me 30 Qeshor 2019.
Ky ishte një vendim krejt i papritur për shumcën e popullit por jo edhe aq për Kryeministrin e Shqipërisë, Zotin Edi Rama. Sapo lajmi mori dhenë, në vend që të anulonte takimin e radhës elektoral ,Ai, me një cinizëm të hapur deklaroi: “Unë jam gjithmonë tre hapa përpara teje, e dija se çfarë do të bëje dhe i kam marrë masat”. Ishte një lojë “të fortish” që kanë dalë në mexhlis e po masin forcat dhe djallëzitë njëkohësisht. Se si e qysh nuk na e bëri të ditur Kryeministri, ne nuk duhet ta dimë që në fillim zgjidhjen. Do endemi për ndopak kohë me bluarjen e lajmit, si tek e qysh. Lezeti e do që të shkruhet, të hamendësohet, të tunden studio televizive, portalet, komentatorët, konstitucionalistët, juristët si fillim. Të rrijë nja dy ditë pezull situata.
E pastaj, të dalë Mesia e të na shpallë vendimin e Tij. Eureka, do shkarkohet Presidenti!
Meqë unë nuk jam jurist e aq më pak këto fjalët e tjera të mëdha, u përpoqa t’i kuptoj me këtë kaplloqen time vendimet e njëpasnjëshme të Udhëheqësve tanë.
Në zgjedhje nuk ka hyrë asnjë nga Partitë e Opozitës (PD+LSI+PDIU). Këto tri Parti, në zgjedhjet e vitit 2017, kanë marrë së bashku mbi 750 mijë vota ose thuajse sa Partia Socialiste. I kanë bojkotuar ato, kanë bojkotuar edhe parlamentin dhe janë në rrugë. Vendin e deputetëve opozitarë e kanë zënë deputetë “surrogato”, të marrë nga fundet e listave të Opozitës. Parlamenti gjithmonë ka qenë gurrë humori, por, me prurjet e reja fitoi një nivel tjetër, edhe më spektakolar. Duhet falenderuar këtu edhe PD –LSI për qëmtimin e karaktereve mjaft interesantë.
Kryeministri ynë bëri përpjekje të theksuara epistolare, për të bindur Kryetarin e Partisë Demokratike që të pranojë të futet në zgjedhjet lokale. Por, për keqardhjen e Tij, letrat e pareshtura iu refuzuan! Afati i fillimit të fushatës erdhi dhe Kryeministri ynë po i numëronte Bashës me count-down orët e fundit. Paçka me nuanca tallëse e duke i theksuar që dialogu asgjë nuk do të ndryshojë. Kjo ishte e parëndësishme sipas Kryeministrit.
Dikur, nga data 31 Maj, Kryeministri vendosi me trishtim të futet i vetëm në votime. Do i marrë ato dreq 61 Bashki që i mbetën në derë. Ia bëri këtë të keqe Lulzim Basha. Edhe shpenzimet e fushatës minimale.
Shkurt, po e bënte këtë sakrificë për t’u ruajtur e mos i dhënë precedent qaravitjes. “Nuk mundet-thoshte Kryeministri– që unë të ik se më thotë kundërshtari “Aman ik”. Kjo është e rrezikshme për demokracinë” .
Në fakt, po të qe kështu, edhe unë do të isha me Shefin e Madh, Kryeministrin.
Por, këta të Opozitës kanë një version tjetër.
Po pse doli nga Parlamenti dhe nuk futet në zgjedhje Luzim Basha? Sipas Kryeministrit “Ka frikë nga zgjedhjet”.
Sipas Kryetarit të Opozitës: “Opozita nuk futet në zgjedhje sepse është e vërtetuar që Pushteti i ka vjedhë votat e zgjedhjeve të vitit 2017”.
Për të vërtetuar këtë tezë të tyre, janë bërë publike Përgjimet që vërtetojnë se krerët e Narkotrafikut blejnë vota për Partinë Socialiste, ndajnë elektoratin në të majtë e të djathtë dhe ndëshkojnë të djathtët, caktojnë deputetin e tyre në Parlament etj etj.
Këto përgjime i dëgjoi i madh e i vogël. U bëmë edhe gazi i botës për këtë punë. Por kjo e fundit pak rëndësi ka.
E vërteta është që, Partia Demokratike vërtetoi tezën e saj që zgjedhjet e 2017-ës janë vjedhur. Se sa janë vjedhur këtë nuk mund ta dimë. Duhen rishpallur zgjedhjet dhe ta gjejmë. Tashmë, edhe mbrojtësit më besnikë të Kryeministrit skuqen dhe ulin kokën para atyre përgjimeve. Teoria sipas së cilës “Edhe këta kanë vjedhë vota” është një e “e vërtetë” e pavërtetuar dhe si e tillë nuk merret në konsideratë. Ka vetëm një hajdut, është ai që kapet duke vjedhë! Kjo i dha të gjithë të drejtën morale zoti Basha për të kërkuar rënien e Qeverisë dhe dekretimin e zgjedhjeve të parakohshme.
I vetmi njeri që thoshte se nuk ka asgjë edhe pas publikimit të përgjimeve ishte Kryeministri ynë. Ai vazhdonte të mendonte për fushatën e fortë të 30 Qershorit, ku të gjitha votat do të shkonin për Frontin. Opozita dhe populli opozitar u ndjenë të penalizuar, të vjedhur, të fyer, të dhunuar.
Në këto kushte absolutisht të jashtëzakonshme për çdo mendje të kthjellët, vjen vendimi i Presidentit për të anulluar zgjedhjet! Çfarë lesh zgjedhjeje janë këto?!
Por, ata që besuan se ky ishte vendimi i duhur, treguan veç që nuk ia kanë idenë se me kë kanë të bëjnë! Kryeministri nënqeshi dhe deklaroi që Presidenti është i pushuar nga puna! Direkt, si të ishte roja i Kryeministrisë ose shoferi i Kryeministrit.
Sepse, Ky nuk pyet mor vëlla, Kontrollin e Shtetit e ka pa Kryetar, Gjykatën e Kasacionit e ka të shkrirë, Kushtetuesen po e po, Prokuroren e vuri për 3 muaj po bën dy vjet.
Tani do e heqë edhe Presidentin, t’i marrë edhe këto 61 bashkitë që i mbetën në derë dhe ta kryejë këtë punë me nder! Ta marrë atë dreq Timoni një herë vetëm!
Sot Kryeministri na njoftoi se tjetër kund flen lepuri. Këta të Opozitës, Berisha, Basha, Meta etj etj, tjetër kund e kanë hallin. Si tribun i vetëm i së drejtës, njoftoi popullin e Matit që SPAK-u do të fuste në Burg Sali Berishën, Ilir Metën, Lulzim Bashën etj etj.
Për vete nuk tha asgjë, SPAK-u nuk ka lidhje me Atë vetë…
Se çfarë lidhjeje ka SPAK-u me zgjedhjet e lira nuk e pjegoi. Ndoshta kur të shkojë në Bulqizë.