Autori i plagosjes së 51-vjeçarit një ditë më parë në lagjen “Rilindja” në Vlorë është shpallur në krkim nga policia e Vlorës. Por ndërkohë ngjarja ka nxjerrë në dritë një tjetër fakt, pronari i lokalit organizonte lotari të palejuara.
Për këtë arsye Vladimir Nuhaj është vënë në pranga ga policia, pasi veç të tjerash nuk e ka kallëzuar ngjarjen.
“Nga hetimet paraprake të kryera ka rezultuar se autori, shtetasi T.B., ka shkuar në ambientet e lokalit të shtetasit Vladimir Nuhaj dhe ka qëlluar me armë zjarri shtetasin A.G., si dhe i ka marrë një shumë lekësh. Në përfundim të hetimeve paraprake Policia ka bërë shpalljen në kërkim dhe po punon për kapjen e autorit, shtetasit T.B. Gjithashtu është kryer arrestimi në flagrancë i shtetasit Vladimir Nuhaj, 51 vjeç, banues në Vlorë. U krye arrestimi i tij pasi nuk e ka kallëzuar krimin, ka penguar në zbardhjen e ngjarjes, si dhe në lokalin e tij organizonte lotari të palejuara”, njofton policia e Vlorës.
Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë në ngarkim të shtetasit T.B., për veprat penale “Vjedhja me armë”, dhe “Plagosje e lehtë me dashje”, si dhe në ngarkim të shtetasit Vladimir Nuhaj për veprat penale “Moskallëzim krimi”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Organizimi i lotarive të palejuara”, të parashikuara nga neni 140, 89, 300, 301 dhe 197 të Kodit Penal.