Tri grupe kriminale dyshohet të kenë bashkëpunuar për pengmarrjen e Jan Prengës, i cili dyshohet të ketë gjetur vdekjen gjatë torturave, kur mbahej në një resort në zonën e Shijakut
Deri tani, Policia ka goditur një pjesë të grupit të Shijakut, edhe pse personi që konsiderohet nga Policia si drejtuesi, Altin Hajri, vijon të jetë në kërkim. Por në këtë ngjarje dyshohet se ka vepruar edhe një grup nga Shkodra dhe një tjetër nga Vlora.
Policia ka shpallur në kërkim edhe 4 persona të tjerë, përveç Hajrit, pasi dyshohet se kanë bashkëpunuar në pengmarrjen, vrasjen dhe zhdukjen e trupit të 48- vjeçarit Prenga. Burimet thanë se janë shpallur në kërkim shtetasit me iniciale: M. B., nga Shkodra, i akuzuar për trafik droge nga Ekuadori në vendet e BE; G. D., i skeduar nga autoritetet e vendeve të BE dhe konsiderohet si njeriu kyç që urdhëroi rrëmbimin e Jan Prengës; K. G., nga Shkodra, i përfshirë më herët në aktivitet kriminal në vendet e BE, por edhe në Shqipëri. Mendohet të jetë personi që ka bërë rolin e ndërmjetësit, duke çuar mesazhin për rrëmbimin e Prengës;
D. R., nga Vlora, i konsideruar si një nga personazhet më të fuqishëm në botën e krimit në Vlorë, i cili në vitin 2014 është arrestuar me 240 kg kokainë në Ekuador, më herët ishte akuzuar për përfshirje në vepra kriminale në Shqipëri.
ARRESTIMET
Dy ditë më parë, Policia e Shtetit njoftoi zyrtarisht se kishte zbardhur pengmarrjen e Jan Prengës, ngjarje e ndodhur më 17 janar në Kamzë, i cili dyshohet se është torturuar për vdekje nga autorët, por trupi i tij ende nuk është gjetur. Katër persona u arrestuan gjatë operacionit të së hënës, që forcat RENEA zhvilluan në rrethinat e Shijakut, mes të cilëve edhe babai e vëllai i Altin Hajrit, i cili konsiderohet si kreu i grupit.
Në kuadër të operacionit të koduar “Resorti”, ditën e hënë, u bë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasve: Leonard Hajri, 35 vjeç, i dënuar më parë, Olsi Tarja, 36 vjeç, Elton Hajri, 32 vjeç dhe Bajram Hajri, 64 vjeç, banues në Shijak.
Policia sekuestroi 2 armë zjarri pistoleta, një sasi municioni, 16 aparate celularë, 4 automjete dhe një shumë eurosh. Policia tha se nga veprimet e thelluara hetimore ka rezultuar se personat, pas rrëmbimit të shtetasit Jan Prenga, kanë shkuar direkt në resortin në pronësi të shtetasit Altin Hajri, i shpallur në kërkim.
Ndërsa mbrëmjen e së martës, Forcat Operacionale arrestuan në Kavajë Festim Bexhdilin, 30 vjeç. Ky i fundit dyshohet se ka bashkëpunuar në fshehjen e trupit të 48- vjeçarit Prenga, pasi ka vdekur gjatë torturave.
“Në vijim të punës nga grupi i posaçëm hetimor i ngritur për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 17.01.2020, në rrugën ‘London’, Kamzë, ku disa persona rrëmbyen 48-vjecarin J. P., pas një hetimi të thelluar, në bashkëpunim me Prokurorinë, duke përdorur metodat proaktive, u bë e mundur zbardhja e kësaj ngjarjeje.
Në bazë të provave të grumbulluara nga grupi i posaçëm hetimor, Gjykata e Tiranës nxori urdhër për të ushtruar kontroll në disa subjekte private, hotele dhe tri banesa private në fshatin Pjezë, Shijak, Durrës, si dhe urdhra ndalimi për disa shtetas”, tha zyrtarisht Policia.
Hetimi, pengmarrja për “zhdukjen” e 280 kg kokainë
Burime nga grupi hetimor thanë se Jan Prenga është marrë peng mesditën e 17 janarit në Kamzë, për t’u ushtruar presion vëllezërve të tij, në mënyrë që të kompensoheshin për 280 kg kokainë që nuk kishte mbërritur në destinacion në Angli. Sipas të dhënave të siguruara nga grupi hetimor, që po shkëmben informacion edhe me autoritetet britanike, ngarkesa e drogës dyshohet se ishte nisur nga Ekuadori dhe do të dorëzohej te pritësit, anëtarë të grupit “Hajri”, por edhe disa grupeve të tjera kriminale që veprojnë atje.
Për nxjerrjen e sigurt të ngarkesës së kokainës nga porti në Angli, ishte ngarkuar një nga vëllezërit e Jan Prengës, shtetasi A. Prenga, që aktualisht është në hetim nga autoritetet britanike. Ky i fundit dyshohet se kishte nxjerrë edhe një sasi tjetër për llogari të të njëjtëve persona. Edhe këtë sasi, pra, 280 kg kokainë, ai e ka nxjerrë nga porti, por droga është “zhdukur”, duke mos shkuar në duart e pritësve.
Ky dyshohet të ketë qenë shkaku i pengmarrjes e më pas edhe e vrasjes së Jan Pregës në Shqipëri. Gjatë operacionit të koduar “Resorti”, nisur nga të dhënat hetimore se pengu ishte dërguar nga Kamza në resortin e familjes Hajri në Shijak, nuk u arrit të gjendej asnjë gjurmë e Jan Prengës.
Megjithatë, burime zyrtare të Policisë, thanë se përmes hetimeve të thelluara, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, duke përdorur metodat proaktive u bë e mundur zbardhja e ngjarjes. “Ky rrëmbim ka ardhur si pasojë e një konflikti që një nga vëllezërit e viktimës ka pasur me organizatoret dhe rrëmbyesit, si pasojë e disa konflikteve kriminale në Britaninë e Madhe”, tha Policia.