Lëkundjet sizmike të datës 28 janar kanë nxjerrë jashtë funksioni konviktin e shkollës profesionale “Kolin Gjoka”, në Lezhë.
Pas inspektimit të ekspertëve, godina trekatëshe, e cila kishte pësuar dëmtime që nga tërmeti i 26 nëntorit, është shpallur e pabanueshme. Në këto kushte, 51 nxënës që vijnë nga zona të ndryshme veriore e që ndjekin shkollën në Lezhë, kanë ngelur pa një vend akomodimi. Drejtori i shkollës profesionale “Kolin Gjoka”, Bardh Dedgjonaj, thotë se një pjesë e konviktorëve e kanë të pamundur për të ndjekur shkollën, pasi vijnë nga zona të largëta.
“Tërmeti i datës 26 nëntor e dëmtoi pak godinën e konviktit të shkollës së mesme profesionale ‘Kolin Gjoka’. Në atë kohë erdhën ekspertët dhe e panë me detaje e u arrit në konkluzionin se konvikti është i banueshëm dhe vazhdoi rregullisht frekuentimi. Lëkundjet sizmike të së martës e dëmtuan më shumë objektin dhe, të shqetësuar, konviktorët, ne dhe prindërit, erdhën ekspertët përsëri dhe e inspektuan dhe dolën në konkluzionin se godina ka rrezik shembje dhe duhet të mbyllet. Sapo kam marrë aktin e konstatimit, mblodhëm të gjithë konviktorët, i njoftuam me vendimin dhe morëm masa që t’i nxjerrim nga aty. Pjesa më e madhe e nxënësve konviktorë po e ndjekin shkollën nga shtëpia e tyre, përjashto vetëm ata nxënës, të cilët janë me vendbanim larg dhe nuk kanë ku të qëndrojnë”, është shprehur Dedgjonaj.
AKOMODIMI
Pas vendimit për të mos jetuar më në konvikt, nënkryetari i Bashkisë Lezhë, Ermal Pacaj, thotë se brenda javës që vjen do të gjendet një vend tjetër akomodimi për konviktorët, me qëllim që të vijojnë normalisht procesin mësimor. “Kemi analizuar situatën dhe për momentin nxënësit e shkollës profesionale që janë të akomoduar në konvikt do të jenë të shkëputur nga mësimi deri nga fundi i javës tjetër, derisa Bashkia Lezhë të gjejë mundësinë e akomodimit të tyre. Kemi filluar intensivisht të merremi për të gjetur një vend tjetër akomodimi. Kemi marrë disa kontakte dhe besoj që deri nga mesi i javës tjetër do të gjejmë një vend akomodimi”, tha Pacaj.
KONVIKTI
Godina e konviktit në Lezhë është ndërtuar vite më parë dhe ka qenë e amortizuar, ndaj edhe pësoi dëmtime serioze nga lëkundjet e forta sizmike. Ndërkohë, do të jetë ekspertiza e specializuar që do të vendosë për fatin e këtij objekti nëse do shembet apo rikonstrukturohet. Në Lezhë janë një sërë objektesh shtetërore dhe private që kanë pësuar dëmtime nga tërmeti dhe janë shpallur të pabanueshëm.
Këtyre objekteve po u bëhet vlerësimi përfundimtar nga ekspertët dhe shumë shpejt do të dilet me konkluzion përfundimtar për fatin e tyre. Për shkak të vjetërsisë, konvikti i shkollës profesionale në Lezhë ka qenë i amortizuar, pasi godina nuk ka njohur rikonstruksion që prej ndërtimit më shumë se dy dekada më parë. Në këtë situatë, kushtet brenda godinës nuk ishin aspak të përshtatshme për shkak të lagështirës, duke u kthyer në rrezikun serioz dhe për shëndetin e personelit dhe konviktorëve.
Bashkia ka pasur në plan rikonstruksionin prej disa kohësh, por për mungesë fondesh nuk është ndërhyrë. Ndërkohë, gjatë viteve të fundit, godina është populluar shumë, pasi ardhjet e studentëve nga qytetet veriore kanë qenë të shumta. Për këtë, në qytetin e Lezhës nevojitet ndërtimi i një tjetër konvikti me kushte të mira.
Pasojat
Tërmeti që preku disa qytete të vendit pak ditë më parë, solli panik te banorët, duke bërë që disa të braktisin banesat e tyre dhe të qëndrojnë në makina. Deri në orët e vona të natës, shumë prej tyre vendosën të qëndrojnë jashtë, duke mos u futur në shtëpi. Frika që i druheshin, ishte që të mos përballonin përsëri një tërmet si ai i 26 nëntorit