Teksa forcat e ndërhyrjes së shpejte u zëvendësuan me bujë në hyrje të resortit Golden nga Operacioni Forca e Ligjit, policia nuk ka asnjë të dhënë se ku gjendet Altin Hajri, i kërkuar prej ditësh, por pa asnjë gjurmë.
36 vjeçari konsiderohet aktiv me veprime në brendësi të kompleksit aty ku besohet se Jan Prenga u soll i pajetë nga katër shkodranë të kërkuar ende dhe më pas u planifikua edhe zhdukja e trupit të tij.
Në vazhdën e hetimeve ku janë përfshirë edhe pasuritë e emrave të lakuar si organizatorë të pengmarrjes, prokuroria ka pyetur ndërkohë familjarë të Altin Hajrit, jo vetëm për adresën e 36 vjeçarit i skeduar edhe më herët për problemet me narkotrafikun, por edhe për pronësinë e kompleksin Golden.
Burimet e sigurta të Top Channel bëjnë me dije se është pyetur bashkëshortja e Altin Hajrit , shtetasja me inicialet V . H. Gruaja sipas burimeve të Top Channel tregon se Altin Hajri është kthyer në Shqipëri në datën 30 dhjetor 2019 pasi për dy vite ka vuajtur një dënim në Holandë.
Gruaja tregon se ajo nuk e di kujt i përket Golden. Por me menaxhimin e kompleksit “merret vjehrra ime” shton më tej dëshmitarja. Gjithashtu sipas dëshmitares kompleksi ka si menaxher shtetasin Olsi Turja, ndërsa të ardhurat që burojnë nga kompleksi administrohen nga familja e Altinit si dhe tre fëmijët e çiftit thuhet më tej në dëshmi.