Policia e Tiranës ka zbardhur plagosjen e çiftit Laze gjatë tentativës për grabitje në shtëpinë e tyre në Allias, duke vënë në pranga një person dhe shpallur në kërkim një tjetër
Ngjarja e ndodhur mbrëmjen e 19 janarit është dokumentuar me prova ligjore nga ana e grupit hetimor, pas një analize ADN-je të përftuar nga një kampion pështyme në një nga maskat e gjetura jo shumë larg vendit të ngjarjes. ADN-ja ka çuar në identifikimin e njërit prej autorëve, 28-vjeçarit Fatjon Martënikaj, i arrestuar në Rinas në tentativë për t’u larguar nga Shqipëria. Ndërsa ideatori kryesor e ngjarjes, i cili është shpallur në kërkim, dyshohet se është Markelian Cungu, “superhajduti” që ka kryer qindra vjedhje që kur ishte në moshë të mitur. Ka qenë i arrestuari Martënikaj që ka treguar emrin e ideatorit, duke deklaruar se planin e grabitjes së çiftit Petrit e Afërdita Laze e kishte thurur Markelian Cungu. “Duke tentuar që t’i nxirrja jashtë shtëpisë, ata më qëlluan me armë. E ndjeva se isha plagosur, por ata më shtynë drejt banjës dhe më mbyllën aty. Kam marrë një levë dhe jam hedhur nga dritarja për t’u rifutur në shtëpi, por ata ishin larguar pa marrë gjë”, është shprehur 61-vjeçari Laze gjatë deklarimeve para oficerëve të Policisë.
OPERACIONI
Policia e Tiranës tha dje se ka zbardhur ngjarjen e ndodhur në Allias më 19 janar dhe gjatë operacionit të koduar “Mjegulla” është arrestuar njëri nga autorët, si dhe shpallet në kërkim autori tjetër, të dy me precedentë të mëparshëm penalë në fushën e narkotikëve dhe të vjedhjes.
“Grupi hetimor ka siguruar prova shkencore për autorësinë e kësaj ngjarjeje. Gjenden dhe sekuestrohen edhe dy armët e dyshuara të përdorura gjatë tentativës për grabitje, municion luftarak, maskë e sende të tjera”, tha zyrtarisht Policia.
Policia tha dje se, si rezultat i vlerësimit maksimal të kësaj ngjarjeje, punës profesionale operative dhe hetimore, si dhe në bashkëpunim me Prokurorinë, u bë i mundur sigurimi i informacioneve dhe provave, të cilat çuan në zbardhjen dhe dokumentimin me prova shkencore të kësaj ngjarjeje. Bazuar mbi provat e siguruara, Sektori për Hetimin e Krimeve Ndaj Jetës dhe Pronës në Policinë e Tiranës, në bashkëpunim të ngushtë me Komisariatin e Policisë Nr. 4, nën drejtimin e Prokurorisë, bëri të mundur finalizimin me sukses të operacionit policor “Mjegulla”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit: Fatjon Martënikaj, 28 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve”.
Gjithashtu, u bë shpallja në kërkim e shtetasit Markelian Cungu, 23 vjeç, si bashkautor në këtë ngjarje, person me precedentë kriminalë, i dënuar më parë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja”.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë mundur të gjejnë të fshehura rreth një kilometër larg banesës që tentuan të vidhnin, dy armët e zjarrit, konkretisht një kallashnikov dhe një pistoletë, që dyshohet se i kanë përdorur autorët mbrëmjen e datës 19 janar 2020. Gjithashtu, së bashku me armët e zjarrit, Policia gjeti të fshehura një maskë, municion luftarak, fasheta plastike e sende të tjera.