RENEA ka zbarkuar në Lezhë në vijim të operacioneve të kapjes së personave të implikuar në vrasjen e Jan Prengës. Pas Shijakut dhe Shkodrës, ky është qyteti i tretë ku dyshohet se ka persona të implikuar për vrasjen e 17 janarit të 2019, ku Jan Prenga u vra për shkak se vëllai i tij në Angli mbajti peng sasinë prej 300 kg kokainë e cila i përkiste në fakt një shqiptari të burgosur në Ekuador, Dritan Rexhepajt nga Vlora.
Gjithashtu vijojnë edhe kërkimet për trupin e Jan Prengës, i cili deri më sot nuk është gjetur. Kontrollet në Shijak nuk kanë dhënë rezultat.
Kurse prindërit e Jan Prengës, i rrëmbyer në datën 17 janar 2020, kanë hapur dyert e mortit për të pritur ngushëllimet sipas riteve, megjithëse trupi i pengut të zhdukur nuk është gjetur ende.
Familja thotë se do flasë vetëm atëherë kur të gjendet trupi i të afërmit të tyre, i cili ishte kthyer nga emigracioni dhe jetonte me të ardhurat e një ambjenti të dhënë me qira.
Për dëshmitarët që u gjenden afër vendit ku ai u rrëmbye nga katër persona, është me e lehtë të heshtësh përsa kohë prokuroria dyshon se Jan Prenga u rrëmbye pas konflikteve të trafikantëve me vëllain e tij lidhur me një sasi prej 260 kg kokainë.
Deri tani janë arrestuar pesë persona, ndërsa tetë të tjerë janë shpallur në kërkim. Policia tregon për Top Channel se ka gjetur disa qese të zeza në një kosh plehrash që janë dërguar për këqyrje në laboratorin e kriminalistikës, së bashku me pamjet e kamerave të sigurisë që zbuluan disa nga bashkëpunëtorët në këtë krim.