Një kamera e fshehtë ka zbuluar një kujdestare monstër britanike, e cila dhunon brutalisht një të ri me aftësi të veçanta. Momenti tronditës është publikuar nga “Daily Mail”, ku shihet kujdestarja e identifikuar si Peraline Baugh, 62 vjeçe, e godet në fytyrë 20-vjeçarin e sëmurë Peter Evans dhe më pas e tërheq me forcë nga shtrati.
Dyshohet se Baugh për muaj me radhë ka ushtruar dhunë mbi Evans, i cili si pasojë e sëmundjes, nuk mund të flasë. Në pamundësi që të kujdesej, pasi nëna e 20-vjeçarit kishte dhe një fëmijë tjetër 11 vjeç, gjithashtu me aftësi të veçanta, kishte thirrur për ndihmë Baugh e cila ishte e punësuar vetëm për orët e natës, sepse Evans kishte shumë vështirësi për të fjetur në gjumë.
Në video tregohet edhe momenti shokues, kur kujdestarja e detyron djalin që të rrijë pa lëvizur dhe në disa raste i mbyll dhe gojën me dorë në mënyrë që të bërtiturat e tij të mos dëgjoheshin në ambientet e tjera të shtëpisë.
Nëna e Peter, Ëhile Louise, u shpreh për mediat lokale se kamerat e sigurisë nuk i kishte vendosur për të nxjerr në pah dhunën e kujdestares, por për të pasur nën kontroll dy djemtë e saj të sëmurë në momentin që ato mund të kishin nevojë për të. “Unë e kisha instaluar kameran jo për të monitoruar kujdestaren, por për të pasur në kontroll dy djemtë e mi nëse më duhej të shkoja në dhomën e tyre për t’i ofruar ndihmë.
Ajo që e pashë në video më shkatërroi mua. I besoja asaj (i referohet kujdestares) dhe ajo ishte bërë si anëtare e familjes, por tani mendoj se thjesht ishte aktore e mirë”, u shpreh nëna e djalit.