Policia e Fierit ka vënë në pranga një mësues të shkollës së mesme artistike “Jakov Xoxa” në Fier me akuzën për "Ngacmimi seksual".
Agron Bego, 63 vjeç, u denoncua nga një emision investigativ për ngacmimin seksual të një nxënëseje.
Mësuesi i ofrohej nxënëses ta ndihmojë me mungesat, në këmbim të intimitetit.
Madje profesori Agron Bego e këshillonte se nuk duhet të bëjë seks me bashkëmoshatarë, sepse ata nuk dinë të bëjnë seks.
Materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprime të mëtejshme proceduriale.
Ja njoftimi i plotë:
Në lidhje me rastin e publikuar mbrëmjen e djeshme në emisionin investigativ “Stop”, ku bëhej fjalë për ngacmimin seksual të një nxënëseje nga mësuesi, Policia menjëherë ka bërë shoqërimin e shtetasit A. B., 63 vjeç, banues në Fier.
Në përfundim të veprimeve hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, bënë ndalimin e shtetasit A. B., pasi dyshohet se ka kryer veprën penale “Ngacmimi seksual”.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprime të mëtejshme proceduriale.