Policia holandeze thotë se ka arrestuar një shqiptar 30-vjeçar, që mund të ketë lidhje me një masakër të ndodhur pesë vjet më parë në Roterdam.
Gazeta holandeze AD shkruan se bëhet fjalë për ngjarjen e rëndë të 15 janarit 2015, kur u vranë dy vëllezër shqiptar, 25 dhe 29 vjeç. Në atë kohë u tha se viktimat janë Levi dhe Lenci Tola nga Elbasani.
AD shkruan se i arrestuari mendohet se është shoferi që dërgoi të dyshuarit te vendi i krimit, ku ndodhi masakra me qindra plumba nga armë automatike. Gazeta shkruan se gjithçka ndodhi pasi negociatat për 6 kg kokainë nuk shkuan siç duhet.
Pas masakrës, policia arrestoi një 28-vjeçar shqiptar dhe ai u dënua me 20 vite burg. Por më vonë u shpall i pafajshëm për vrasjet dhe u dënua vetëm për armëmbajtje pa leje dhe posedim droge.