Policia e Tiranës ka arrestuar një 25-vjeçar për të cilin thotë se tentoi të mashtronte shërbimet e Policisë dhe u kap me armë zjarri pa leje.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vorë, pas njoftimit të marrë nga shtetasi A. M. se afër banesës së tij ndodhej një automjet dhe dyshonte se kishte shkuar për të vjedhur në banesën e këtij shtetasi, menjëherë organizuan punën, ku ushtruan kontroll në automjetin e dyshuar që pretendohej nga 25-vjeçari A. M., por gjatë kontrollit dhe verifikimeve nuk ka rezultuar asnjë problem.
Shërbimet e Policisë, bazuar në veprimet dhe thëniet kontradiktore të shtetasit A. M., e kanë mbajtur nën vëzhgim këtë shtetas prej disa orësh dhe gjatë operacionit policor të koduar “Vora”, në aksin rrugor Sharke -Vorë kanë ndërhyrë duke e kontrolluar 25-vjeçarin.
Gjatë kontrollit fizik atij iu gjet një armë zjarri pistoletë, me një krehër me fishekë luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi me burgim deri në 7 vjet.