Shkon në tre numri i të arrestuarve në operacionin “Trajektorja”, nga i cili Policia e Shtetit zbuloi dhe vuri në pranga më pas 27 vjeçarin Astrit Thaçi, me rekorde të mëparshme kriminale dhe i dyshuar për një sërë vjedhjesh me armë.
Sot në Elbasan, policia ka arrestuar një 26-vjeçar. Ai dyshohet se ka përfituar disa nga sendet e vjedhura nga Thaçi.
Ky i fundit sipas policisë ka qenë i dënuar më parë me 7 vite burg në Itali, për vjedhje me armë, si dhe me precedent të theksuar kriminal në Shqipëri, për shpërndarje të narkotikëve dhe në fushën e vjedhjes me dhunë e armë.
“Si rezultat i një pune intensive të mirëorganizuar dhe me prova shkencore u arrit që të dokumentohej veprimtaria kriminale në fushën e vjedhjeve me armë e dhunë, kryer nga ky shtetas në Durrës, Tiranë dhe Elbasan”.
NJOFTIMI
Në vijim të operacionit “Trajektorja” nga DVP Durrës, Tiranë, Elbasan dhe Forca e Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, në kuadër të të cilit u bë e mundur kapja dhe ndalimi i autorit të një sërë vjedhjesh dhe tentativash për vjedhje me dhunë e armë, si dhe prangosja e bashkëpunëtores së tij në këto vjedhje, ka vijuar puna për dokumentimin e plotë të këtyre rasteve.
Në këtë kuadër, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan arrestuan shtetasin: F. S., 26 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka blerë 4 byzylykë floriri nga shtetasi A. Th., të cilët i kishte vjedhur.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprat penale “Përvetësimi i parave ose i mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale” dhe “Fshehja e të ardhurave”.